Bejko pas mbylljes së fushatës: Armiku ynë ishte koha, synojmë të pakënaqurit nga klasa e vjetër

Shqipëria

Bejko pas mbylljes së fushatës: Armiku ynë ishte koha, synojmë të pakënaqurit nga klasa e vjetër

Më: 12 maj 2023 Në ora: 23:06
Roland Bejko

Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 14 majit, Roland Bejko, i ftuar në studion e News24 ka deklaruar se armiku i tij dhe partisë që përfaqëson ka qenë koha e limituar.

Bejko deklaroi se fushata e demokratëve plotësoi objektivat e saj, ndërsa shtoi se qytetarët e kanë pritur pozitivisht atë dhe programin për Tiranën.

Sipas tij paratë për fushatën e PD-së janë hedhur vetëm ditën e djeshme duke marrë një shifër prej 249 milionë lekësh të vjetra, që sipas Bejkos është bërë vetëm hapja dhe mbyllja e garës elektorale.

Përmbyllëm një fushatë që e mendojmë të suksesshme dhe kemi plotësuar objektivat. Atë do e shohim në ditët në vijim me rezultatin përfundimtar. Hymë me vonesë në fushatë dhe sollëm një program të vërtetë. U befasova nga numri i lartë i demokratëve që gjetëm në bazë. Fushata më pëlqeu aq shumë sa do mërzitem që nuk do jem më në të nga e hëna.

Qytetarët janë shprehur pozitivisht për fushatën dhe për programin, e kanë cilësuar realiste. Nuk kemi bërë premtime futuriste, ishte realiste gjithçka. Mbylljet e tyre janë madhështore sepse paratë që shpenzojnë janë madhështore. Kjo më bën të mendoj se non-gratat e vendosura nga SHBA dhe Britania janë të drejta. Dje janë hedhur paratë në llogarinë e PD-së, 249 milionë lekë të vjetra. Me ato para vetëm hapjen dhe mbylljen mundëm të bënim. Pjesën tjetër e bëmë me të vërtetën tonë dhe pozicionin ku i dolëm para të shkuarës dhe korrupsionit.

Në këto kushte Rama-Berisha-Meta janë bashkë dhe nuk preken nga rezultati dhe as oligarkët nuk preken. Shtresa e mesme në Tiranë është asimiluar. Me thënë të vërtetën kam thënë se besoj se do e fitoj Tiranën dhe ende besoj. Aty janë mbi 70% e popullsisë që janë të pakënaqur nga klasa e vjetër politike. E kanë shprehur në sondazhe. Puna është sa kam arritur unë të ndikoj tek ta. Armiku ynë ka qenë koha në këtë fushatë, as gjendja e partisë, as programi”, u shpreh Bejko ndër të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat