Përmbysja e Shkodrës e rrëfyer përmes portretit të Benet Becit

Shqipëria

Përmbysja e Shkodrës e rrëfyer përmes portretit të Benet Becit

Më: 15 maj 2023 Në ora: 20:58
Benet Beci- Luizi

Fakti se Benet Beci e bëri PS-në të fitojë në Shkodër, përbën një rekord të paimagjinueshëm për pasardhësit e reformuar të ish Partisë së Punës. Edhe më të madhe e bën këtë ngjarje diferenca e rezultatit (60%-40%) në favor të pinjollit të një prej familjeve të vjetra të qytetit. 

Por çfarë u luajt në kryeqendrën e Veriut dhe cilët qenë faktorët e kësaj përmbysjeje? Kjo pyetje shtrohet sepse në tre zgjedhjet e fundit lokale me garë, PD-ja e ka fituar Shkodrën në 2007 me 55%, në 2011 me 51%, në 2015 me 55% (në 2019 nuk pati garë).

Madje edhe në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit 2022, ndonëse opozita ishte e përçarë, kandidati që garoi sot, Bardh Spahia e mundi prefekten e qarkut, Majlinda Angoni, duke mbledhur mbi 20 mijë vota, pa llogaritur këtu afro 8 mijë votat e PD së vulës.

Image
Rezultatet

Pra, si të thuash, kur nisi garën Benet Becit i duhej të kapërcente një hendek prej afro 10 mijë votash. Ai atyre i shtoi këtë të dielë edhe njëherë kaq. 

Për të kuptuar këtë kapërcim Lapsi.al ka kontaktuar me njohës të mirë të kësaj zone elekotorale si dhe ka krahasuar rezultatet që Shkodra ka prodhuar në vite.

Natyrisht ky qytet, ashtu si i gjithë vendi nuk përjashtohet nga makinacionet e pushtetit në zgjedhje, siç u theksuan edhe sot në raportin paraprak të vëzhguesve ndërkombëtarë. Frikësimi i atyre pak punonjësve të administratës, ushtrimi i trysnisë së patronazhistëve në qendrat e votimit, presioni i makinerisë shtetërore dhe blerja u vunë në veprim si kudo gjetkë. Në këtë linjë qe edhe humbësi i garës Bardh Spahia që e quajti fitoren e rivalit “një pushtet të dalë nga bota e krimit dhe e parave të pista”. 

Image
Tom Doshi

Por, në fakt, e vërteta e këtyre zgjedhjeve në Shkodër është shumë më e nuancuar sesa kaq. Aty vërtet makineria shtetërore u vu në punë herët, duke i blerë Ilir Metës një deputet me influencë në zonë, biznesmenin Agron Çela.

Ky sipërmarës i industrisë së turizmit, pas shembjes së hoteleve të kundërshtarëve të Ramës, do e kishte të vështirë të mos i transferonte afro 2600 votat personale që mori në 2021-shin, në favor të pushtetit.

Një rol po kaq të madh mendohet se ka luajtur edhe aleati i fshehur i PS-së, Tom Doshi, partia e të cilit ka prodhuar dy deputetë pikërisht nga kjo zonë. Përpos se shtroi iftar së bashku me Benet Becin, i shpalluri non grata nga SHBA-ja është investuar me mish e me shpirt për shkatërrimin e kandidatit që përfaqësonte një non grata tjetër. Mendohet se pjesa më e madhe e afro 9 mijë votave të PSD i ka shkuar në favor Becit.

Po ashtu edhe grupimi pro Bashës arriti të mbledhë në 6 mars afro 8 mijë vota, një pjesë e së cilave mund të kenë lëvizur sipas parimit: “për inat të sime vjehëre”.    

Po a mjaftojnë këto manovra që u panë në forma të ndryshme në të gjithë vendin për të justifikuar një përmbysje kaq spektakolare? 

Logjika ta do se jo. Pasi Shkodra mund të jetë një simbizozë perfekte midis fuqisë dhunuese të makinerisë shtetërore dhe meritës personale të Benet Becit. 

Image
Benet Beci

Kandidati socialist që sakrifikoi mandatin e deputetit, të fituar dy vite më parë, kishte qenë nga socialistët me votën më të madhe personale në 2021 (mbi 6 mijë vota). Duke nisur nga kjo premisë ai vendosi të bëjë një fushatë të një lloji të veçantë.

Ai e zhduku flamurin, siglën dhe ngjyrat e rilindjes nga gara. Ai zgjodhi bojëra të ngjashme me ato të Ukrainës. Ndryshe nga Rama dhe hierarkët socialistë, që shthurën fjalorin duke shfryrë kundër “zorrës qore”, ai vinte para fjalën “zoti” kur duhet të përmendte Berishën dhe nuk kompleksohej të thoshte se kishte bashkëpunuar me të. Por nëse në këtë pikë fushata lokale ishte në antitezë me atë kombëtare, krejt e kundërta ndodhte në anën tjetër. Ndërsa kryeministri kërcënonte: “po votuat non gratat harroini investimet e qeverisë”, Beci i mbante ison duke shfaqur projekte që do të mund të realizoheshin vetëm po të votohej për të. Ka një spot elektoral që e tregon qartë perfiditetin e fushatës që ai zgjodhi të bëjë. Benet Beci ecën i ndjekur nga kamera në lungomaren e Vlorës, për të treguar një vepër në të cilën ai ka pasur kontribut. Pastaj me një tjetër spot ai shfaqet në Shirokë. Nënteksti është i qartë. Pse të shkojnë lekët e pushtetit në jug. Le ta lëmë Vlorën të bëjë rolin e gruas dhe ti japim Shkodrës fuqinë e së dashurës së re të Edi Ramës.

Pikërisht ky marshim prej ekuilibristi që ecën në tehun e thikës, i koracuar me fuqinë monetare që e detyroi Top Chanel-in ti vinte në dispozicion Luisin, apo që arriti të ndajë Frederik Nocin nga e motra Rita, krijuan amalgamën që solli surprizën në Shkodër. 

Për afro një muaj Benet Beci arriti të fshijë nga memoria e shkodranëve imazhin e partisë që u kujtonte masakrën e 2 prillit, qëndrimin e vranët të Gramoz Ruçit në procesin e kësaj tragjedie dhe persektutimin e Azem Hajdarit teksa kthehej nga qyteti. Ai e portokallizoi ngjyrën mavi dhe kjo lëvizje prej prestigjatori i dha frytet e saj.   

Në këtë ish bastion të PD-së, pinjolli i familjes së vjetër, që e ka fshirë theksin e shkodranishtes, nuk do kishte fituar dot kurrë pa forcën okulte të makinerisë së pushtetit. Por nga ana tjetër edhe kjo do të kishte rezultuar e pafuqishme, po të mos kishte lënë në timonin e saj, Benet Becin. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat