Numërimi në Tiranë drejt përfundimit! Veliaj “shkëputet” bindshëm nga rivalët, “në lojë” qendra e fundit e votimit

Shqipëria

Numërimi në Tiranë drejt përfundimit! Veliaj “shkëputet” bindshëm nga rivalët, “në lojë” qendra e fundit e votimit

Më: 16 maj 2023 Në ora: 07:04
Zgjedhjet

Procesi i numërimit të votave për Tiranën është drejt përfundimit, teksa në tryezë është hedhur qendra e fundit e votimit.

Pavarësisht lodhjes dhe orëve të vona, komisionerët dhe grupi numërues nuk kanë ndaluar, duke numëruar gjatë natës plotë 72 qendra votimi, ndërsa nga 868 QV të mbyllura rreth orës 01:30 të mëngjesit, numri i QV-ve të përfunduara në këto momente shkon 940. Rezultati pritet të dalë nga momenti në moment.

Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kandidati socialist Erion Veliaj kryeson bindshëm garën, duke arritur të grumbullojë 54.69% të votave ose e përkthyer në shifra 158 mijë 523 vota.

Kandidati i koalicionit Meta-Berisha, Belind Këlliçi, pason me 100 mijë e 236 vota ose 34.58%. I ndjekur nga Arlind Qori i Lëvizjes Bashkë me 4.77% ose 13 mijë e 814 vota.

Roland Bejko nga PD-ja zyrtare ka mundur të grumbullojë 12 mijë e 371 vota, ose 4.27%.

Marko Dajti nga Fronti i Majtë, 2 mijë e 807 vota. Dhe e fundit në listën e garuesve, me më pak vota të grubulluara, Lajla Përnaska nga PDIU, 2 mijë e 104 vota ose 0.73%.

Në këto kushte, fitorja e një mandati të tretë nga PS në Tiranë është e padiskutueshme, me Erion Veliajn që pritet të qeverisë kryeqytetasit edhe për 4 vitet e ardhshme.

Kryeqendra rozë, vjen pas një sërë fitoresh të socialistëve në qarkun e Tiranës. Në bashkinë e Kamzës, Rakip Suli siguroi një mandat të dytë, ndërsa edhe në Vorë fitoi PS.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat