Sherr mes të rinjve, plagos me thikë dy persona dhe largohet në drejtim të panjohur

Shqipëria

Sherr mes të rinjve, plagos me thikë dy persona dhe largohet në drejtim të panjohur

Më: 16 maj 2023 Në ora: 07:48
Foto ilustrim

Një sherr mes të rinjve, ka përfunduar me plagosjen e dy prej tyre. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në Tiranë, ku një person ka goditur me thikë dy shokët e tij 20-vjeçarë dhe më pas është larguar nga vendngjarja. Burime nga policia bëjnë me dije se të rinjtë me inicialet J. P., dhe Q. H., janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve. Më datë 15.05.2023, rreth orës 14:15, në rrugën “Tish Daija”, shtetasi B. R., dyshohet se gjatë një konflikti, ka goditur me mjet prerës shtetasit J. P., 20 vjeç, dhe Q. H., 20 vjeç, dhe më pas është larguar. Si pasojë shtetasit J. P., dhe Q. H., janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor po punon për kapjen e autorit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njoftoi dje policia.

Policia reagon për policinë e burgjeve

Ndërkohë  pasditen e djeshme është raportuar për disa të shtëna me armë  janë regjistruar pranë shkollës, Eqerem Çabej në Tiranë, pranë pediatrisë. Mësohet se bëhet fjalë për një oficer të policisë së burgjeve, i cili dyshohet të jetë vetëplagosur në parkingun e pediatrisë. Ai është identifikuar si shtetasi me iniciale Sh.H., dhe është dërguar në spital për ndihmë mjekësore. “Rreth orës 18:10, te spitali “Nënë Tereza”, te parkimi i urgjencës së pediatrisë, shtetasi Sh. H., 47 vjeç, (punonjës Policie në sistemin e burgjeve) dyshohet se është vetëplagosur me armën e shërbimit që mbante me vete. 47-vjeçari ndodhet në Spitalin e Traumës ku po merr ndihmën mjekësore. Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, u shpreh dje Policia e Tiranës në një informacion paraprak për mediat.

Digjen disa makina

Nga ana tjetër, një automjet është përfshirë nga flakët mëngjesin e sotëm në Fushë-Arrëz. Uniformat blu raportojnë se ngjarja ka ndodhur, në fshatin “Apripë e Keqe”, Fushë Arrëz, ku makina është djegur plotësisht. Sakaq, dyshohet se djegia e automjetit tip “Benz”, i marrë me qira nga shtetasi D. U., 31 vjeç, banues në këtë fshat ishte aksidentale. “Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në fshatin “Apripë e Keqe”, Fushë Arrëz, është djegur plotësisht, dyshohet aksidentalisht, një automjet tip “Benz”, i marrë me qira nga shtetasi D. U., 31 vjeç, banues në këtë fshat. Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të shkakut të djegies së këtij automjeti”, thuhet në  njoftimin e policisë. Por nuk ndale me kaq, pasi edhe një automjeti i është vënë zjarri mesnatën e kaluar në fshatin Shalës, Bashkia Konispol. Mësohet se automjeti është në pronësi të shtetases me iniciale A.M., e cila është dhe anëtare e KZAZ 92 në Konispol. Sipas pretendimit të saj, nuk ka patur konflikt me asnjë person në fshat dhe djegia e mjetit lidhet me angazhimin e saj politik në mbështetje të kandidatit Ergest Dule i cili është zgjedhur kryebashkiak i Konispolit.

Turistja rrëzohet nga biçikleta në Përmet, humb jetën 70-vjeçarja austriake

Ndërkaq, një turiste ka humbur jetën në një aksident rrugor në Përmet. “Rreth orës 13:30, në aksin rrugor Përmet-Çarshovë, në vendin e quajtur "Kthesa e Zhepes", shtetasja austriake H. F., rreth 70 vjeçe, duke udhëtuar me biçikletë me një grup turistësh, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e biçikletës dhe është rrëzuar nga biçikleta. Si pasojë e dëmtimeve kjo shtetase ka ndërruar jetë. Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor dhe vijon punën për sqarimin e  plotë të rrethanave të ngjarjes”, njoftoi dje policia.

Turisti suedez humb jetën në një resort në Dhërmi

Po dje, një turist suedez ka humbur jetën në ambientet e një resorti në Dhërmi. Policia bën me dije se suedezi me iniciale V.Ch 78-vjeç, dyshohet të ketë humbur jetën si pasojë e një arresti kardiak. “Sot, në Dhërmi, në një restorant, dyshohet ka humbur jetën për shkak të arrestit kardiak, shtetasi suedez V. Ch., 78 vjeç. Grupi hetimor po kryen veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në  njoftimin e policisë. Sakaq, edhe një i moshuar ka rënë aksidentalisht nga kati i dytë i pallatit ku banonte dhe për pasojë ka humbur jetën. Ngjarja ndodhi dje në lagjen nr. 14, Durrës. Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se ka dyshime që i moshuari ka rënë aksidentalisht, nga kati i dytë i pallatit ku banonte, shtetasi R. M., 80 vjeç, i cili për pasojë ka humbur jetën. Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat