Incidentet zgjedhore/ Më i rëndi goditja e kandidatit socialist në Kolonjë

Shqipëria

Incidentet zgjedhore/ Më i rëndi goditja e kandidatit socialist në Kolonjë

Më: 17 maj 2023 Në ora: 12:26
Foto nga vendi i ngjarjes

Incidenti më i rëndë pak para nisjes së votimeve ishte goditja për shkak të detyrës, së kryetarit të bashkisë Kolonjë, Erion Isai.

Policia e Korçës vuri në pranga një 33 vjeçar dhe procedoi penalisht një tjetër, i cili pengoi me automjetin e tij, lëvizjen e automjetit me të cilin udhëtonte kryetari i bashkisë.

Procesi i votimit por edhe i numërimit të votave përgjithësisht ishte i qetë dhe pa incidente të rënda. Megjithatë nuk munguan rastet e akuzave për shitblerje votash, intimidime apo fotografim të votave.

Në Konispol një punonjës policie u pezullua nga puna pasi me automjetin e punës dyshohet se u ka bërë  presion qytetarëve, në lidhje me fushatën zgjedhore. Gjithashtu ndaj këtij punonjësi, ka nisur hetimi disiplinor.

Ndërsa në fshatin Xarrë, Sarandë një 37 vjeçar u vu në pranga pasi fotografoi votën. Bashkëshortja e tij u procedua në gjendje të lirë.

Në Elbasan, komisioni i një qendre votimi në Mengel ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit, pasi vëzhguesit ishin paraqitur pa beixh për procesin zgjedhor dhe pa dokument identifikimi. Ndërsa në një qendër tjetër u largua nga një qytetar se dyshohet se intimidonte votuesit.

Në Qëndrat e Votimit të fshatrave Kuqan dhe Shirgjan, drejtuesi politik i koalicionit  “Bashkë Fitojmë“, deputeti Flamur Noka u fut  në QV-në e fshtatit Kuqan dhe ka ofenduar komisionerët, ndërsa në qendrën e votimit në Shirgjan ka tentuar të shtyjë kutitë dhe është larguar. Nga ana e komisionerëve nuk është kërkuar ndërhyrja e Policisë. Rastet po hetohen nga Prokuroria.

Në Shkodër u arrestuan 3 persona pasi një ditë para zgjedhjeve u kapën në flagrancë duke transportuar me furgon, 50 qese me ushqime, për t’i shpërndarë te qytetarët, për përfitime elektorale.

Të arrestuarit ishin Drejtori i Drejtorisë Ekonomike-Arsimore, Bashkia Shkodër; Tekniku i Shërbimeve Mbështetëse në Drejtorinë Ekonomike-Arsimore, Bashkia Shkodër dhe Specialisti i Financës në Drejtorinë Ekonomike-Arsimore, Bashkia Shkodër. Shpallet në kërkim porositësi i pakove ushqimore, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve, Bashkia Shkodër.

Në Mallakastër u procedua penalisht një 54 vjeçar pasi kanosi me fjalë, kryetarin e njësisë administrative Fratar për qëllime elektorale, në favor të një kandidati për kryetar bashkie.

Në Këlcyrë janë proceduar penalisht 2 punonjës të dy punonjëse të Zyrës së Ndihmës Ekonomike Këlcyrë  pasi janë kallëzuar nga një person se i kishin ofruar një vend pune për djalin e tij, në këmbim të votës.

Ndërsa në Krujë u arrestua një 48 vjeçar i cili shpërndante para, për qëllime elektorale, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale, 69 000 lekë të rinj, 50 euro dhe 2 lista zgjedhore me emra qytetarësh.

Në Fushë Krujë një person u shpall në kërkim pasi u konfliktua dhe dhunoi një anëtar të një komisioni në qendrën e votimit.

Në Krujë është arrestuar një 44 vjeçar që grisi 2 fletë votimi.

Në Kuçovë u procedua penalisht kandidati për kryetar bashkie dhe mbështetësi i tij pasi u konfliktuan me 4 punonjës të një firme ndërtimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat