Humbja e zgjedhjeve, Çollaku: Berisha të tërhiqet, hallet e tij me SHBA nuk janë të PD

Shqipëria

Humbja e zgjedhjeve, Çollaku: Berisha të tërhiqet, hallet e tij me SHBA nuk janë të PD

Më: 19 maj 2023 Në ora: 08:35
Kreshnik Çollaku

Deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku ka deklaruar dje në një studio televizive se demokratët duhet të jenë të bashkuar nëse PD duhet të jetë mazhorancë në Shqipëri, duke shtuar se kjo ndodh nëse Berisha e nxjerr çështjen e marrëdhënieve të tij me SHBA nga një problem i partisë.

Më tej ai shtoi se pas kësaj, është i bindur që demokratët do e falin njëri-tjetrin dhe do bëhen bashkë.

“Që PD të jetë mazhorancë e këtij vendi, ka nevojë të padiskutueshme për dy elemente, e para që demokratët të jenë të bashkuar, është jetike. Sot mjerisht nuk jemi. Për të fituar demokratët duhet të jenë të bashkuar. E dyta, marrëdhënia e pacenuar me aletatët strategjikë, SHBA etj, sidomos me SHBA është ndër kushtet kryesore, jetike. Kush i bashkon këto dy elementë ka prodhuar një PD në qeverisjen e vendit. Sigurisht nuk është e lehtë. Marrëdhënia e Berishës me SHBA, sanksionimi non-grata, e rëndoi shumë situatën në PD ishte një ngjarje që nuk varet nga partia është një mur që nuk kemi mundësi ta rrëzojmë. Kjo gjendje do t’i mbajë të ndarë demokratët deri kur kjo çështje të dalë jashtë nesh. Ka vetëm një njeri që të zgjidhe këtë ngërç dhe ky është Sali Berisha. Ia njoh gjithë kontributin në qeveri e PD, peshën në elektorat, meriton mirënjohje patjetër, por Berisha ka në dorë të lejojë bashkimin e demokratëve, duke e nxjerrë çështjen me SHBA nga demokratët, duke mos e kthyer në çështje ndarëse, të tërhiqet. Jam përpjekur në këtë një vit, duke marrë shumë baltë, nuk kam dashur të lëndoj asnjë demokrat. Berisha duhet të heqë brenda nesh elementin që na ndan, që është marrëdhënia me SHBA”, deklaroi ai.

Më tej zoti Çollaku theksoi se shpallja e Sali Berishës “non grata” nga SHBA e ka rënduar shumë situatën në PD, prandaj sipas tij, ai duhet të tërhiqet.

“Berisha, është i vetmi që ka në dorë, të lejojë bashkimin e demokratëve duke e nxjerrë çështjen marrëdhënieve të tij me SHBA nga një problem i demokrateve. Nuk mund të them dorëheqje, por duke u tërhequr, duke mos e kthyer këtë në çështje ndarëse te demokratëve. Nëse ndodh kjo, ju garantoj se demokratët nesër janë të gatshëm të bashkohen, duke falur njëri-tjetrin. Dhe po e bëj unë sot nga studioja juaj. Duhet që zoti Berisha, të heqë elementin që na ndan”, nënvizoi Çollaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat