Jorezidentët përjashtohen nga bonusi i bebes, projektligji: Emigrantët, ndryshojnë përfitimet edhe për asistencën sociale

Shqipëria

Jorezidentët përjashtohen nga bonusi i bebes, projektligji: Emigrantët, ndryshojnë përfitimet edhe për asistencën sociale

Më: 20 maj 2023 Në ora: 08:36
Foto ilustrim

Qytetarët që nuk janë rezidentë në Shqipëri do të përjashtohen nga e drejta për të përfituar asistencë sociale dhe bonusin e bebes. Gjithçka përcaktohet në një projektligj, të nxjerrë për konsultim publik nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Ndërkohë që, dokumenti nuk është shoqëruar me relacionin përkatës, që të shpjegojë arsyet, numrin e personave që preken nga ky vendim apo efektet financiare që do të sjellë në buxhetin e shtetit ky ndryshim.

Deri më tani, pavarësisht se lindnin jashtë shtetit, prindërit e fëmijëve që nuk jetojnë në Shqipëri, përfitonin bonusin e bebes, që sipas legjislacionit në fuqi është 40 mijë lekë për fëmijën e barë, 80 mijë lekë për të dytin dhe 120 mijë lekë për fëmijën e tretë.

Ndërkohë që, sa i takon asistencës sociale, ligji përjashtonte deri më tani emigrantët nga e drejta e përfitimit, që gjithsesi kanë specifika të ndryshme nga ata që klasifikohen si jorezidentë, ndonëse bëhet fjalë për shtetas që jetojnë jashtë vendit. Më konkretisht, emigrant afatgjatë është një individ që qëndron në vendin e destinacionit për një periudhë prej 12 muajsh ose më shumë.

Ndërkohë që, nga pikëpamja tatimore jorezident është individi i cili nuk qëndron në Shqipëri gjatë një viti tatimor, në vazhdim ose me ndërprerje, në total, më tepër se 183 ditë, pavarësisht nga shtetësia apo vendi ku ka interesat jetike.

Ndërkohë që, individi konsiderohet rezident për qëllime tatimore, kur ka një banesë të përhershme, ka familjen, pra ka interesa jetësorë dhe ekonomikë në Shqipëri (vendi i interesave jetikë), pavarësisht se mund të punojë në periudha të ndryshme jashtë vendit apo mund të ketë nënshtetësi të huaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat