​Begaj: Marrëveshja Kosovë-Serbi me njohjen reciproke në qendër, garanci për sigurinë

Shqipëria

​Begaj: Marrëveshja Kosovë-Serbi me njohjen reciproke në qendër, garanci për sigurinë

Më: 23 maj 2023 Në ora: 14:15
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj

Presidenti Begaj pret senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, të cilët po vizitojnë Shqipërinë në kuadër të një turi rajonal.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka folur sot për dialogun Kosovë-Serbi, me ç’rast ka theksuar nevojën për një marrëveshje të detyrueshme ligjore të njohur ndërkombëtarisht.

Kështu deklaroi Begaj pas takimit me senatorët amerikanë, senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters.

“Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me në qendër njohjen reciproke do të kishte një ndikim shumë pozitiv për sigurinë dhe progresin e rajonit të Ballkanit Perëndimor”, nënvizoi Begaj.

Presidenti Begaj përshëndeti vizitën e dy senatorëve amerikanë dhe vlerësoi vëmendjen dhe interesin në rritje të Kongresit amerikan për zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Begaj, vlerësoi gjithashtu, marrëdhëniet e shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe nënvizoi, se për Shqipërinë e shqiptarët, Shtetet e Bashkuara mbeten partneri kryesor strategjik dhe miku e aleati më i madh i tyre.

Kreu i shtetit shqiptar, përshëndeti bashkëpunimin shumë të mirë që dy vendet kanë pasur, veçanërisht gjatë dy viteve të fundit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku kanë ndërmarrë iniciativa të përbashkëta për të dënuar agresionin e paprovokuar e të pajustifikuar ushtarak rus në Ukraninë, përmes rezolutave të ndryshme.

Në këtë kuadër, Begaj, u ndal edhe tek sfidat e reja me të cilat po ballafaqohet rajoni i Ballkanit Perëndimor, si dhe rritjen e aktivitetit kërcënues nga akterë të tretë dashakeqës ndaj zhvillimeve euroatlantike në rajon.

Ai shprehu mirënjohjen gjithashtu edhe për bashkëpunimin dhe mbështetjen që agjencitë e specializuara amerikane po japin për përballimin e sulmeve kibernetike, që kanë si synim kryesor dëmtimin e infrastrukturës digjitale të shtetit shqiptar.

Senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, shoqëroheshin në këtë takim nga ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat