Protesta në Tiranë, qytetarët në mbështetje të Kosovës - kanë një mesazh të fuqishëm

Shqipëria

Protesta në Tiranë, qytetarët në mbështetje të Kosovës - kanë një mesazh të fuqishëm

Më: 16 qershor 2023 Në ora: 19:38 Përditësuar në ora: 20:31 më 16.06.2023
Pamje nga protesta

“Agjendat personale e dëmtojnë paqen”, protestuesit: Të përkrahim Kosovën

Dhjetra protestues u mblodhën këtë të premte para ambienteve të kryeministrisë në Tiranë nën moton “Dje, sot, nesër, përgjithmonë bashkë”, për t’i treguar në këtë formë shqiptarëve të Kosovës, se në këtë situatë nuk janë vetëm.

Flamujt e dy shteteve u valvitën përballë kryeministrisë ndërsa qytetarët bënin thirrje që Kosova të përkrahet.

“Duke pasur parasysh situatën e vështirë në të cilët ndodhet sot Kosova, ne jemi mbledhur për të dhënë një mbështetje të drejtpërdrejtë dhe për të treguar se jemi pranë gjithë shqiptarëve të Kosovës”, tha qytetari.

“Ne nuk jemi brez që kërkon luftë, por paqe. Paqe me dinjitet, krah partnerëve tanë të mëdhenj. Axhendat personale vetëm e demtojne paqen, bashkëjetesën, të ardhmen e një rajoni, ku shqiptarët kanë të drejtë të jetojnë si të barabartë ne trojet e tyre”.

Protesta u mbyll me këngë patriotike ndërsa protestuesit njoftuan se do ketë edhe dalje të tjera, për të cilat do lajmërojnë me anë të rrjeteve sociale.

Tiranë, nis protesta e qytetarëve në mbështetje të Kosovës

“Dje, sot, nesër, përjetë bashkë!” Nën këtë moto ka nisur këtë të premte në orën 19:00 para kryeministrisë protesta e qytetarëve në mbështetje të Kosovës.

Tensionet me Serbinë dhe “kthimi i shpinës” nga ndërkombëtarët ka detyruar qytetarët që me pankarta në duar të mbështesin shtetin motër.

“Qytetarët e Tiranës dhe jo vetëm kanë bërë thirrje për një protestë. Është protesta e parë që mbahet në Tiranë pas tensioneve të shfaqura në Veri mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk ka organizatorë kjo protestë, por përmes rrjeteve sociale secili ka bërë thirrje që të marrë pjesë, pikërisht në orën 19:00 në sheshin para kryeministrisë,” – raportoi gazetarja e Euronews Albania, Eksiola Shehu.

Qytetarët që folën për mikrofonin e televizionit thanë se kërkojnë bashkimin në një komb, ndërsa nëpër pankarta lexoheshin shprehje patriotike, mes tyre “Nuk ka ne dhe ata, ka vetëm na”.

Disa qytetarë të tjerë argumentuan se protesta po mbahet para kryeministrisë sepse pretendojnë se qeveria duhet të mbajë një qëndrim pro Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat