Pacientit me dializë i heqin autoambulancën/ Transporti mujor i shkon 7200 lekë, rimbursohet 2000 lekë

Shqipëria

Pacientit me dializë i heqin autoambulancën/ Transporti mujor i shkon 7200 lekë, rimbursohet 2000 lekë

Më: 16 qershor 2023 Në ora: 20:57
Ylli Rërëza

Ylli Rërëza banor i Fshatit Vlosh në Njësinë Administrative Kurjan, Bashkia Roskovec ka kërkuar ndihmën e emisionit “Fiks Fare” pasi prej 1 muaji, 3 herë në javë i duhet të endet rrugëve për të siguruar transportin e vajtjes në spital.

Ylli tregon se trajtohet me dializë prej 4 vitesh. Në vitin 2022 i ndërprenë subvencionin duke i vënë në dispozicion ambulancën që e dërgonte në shtëpi. Me datë 5 Maj 2023 i hoqën ambulancën dhe i dhanë vetëm 20 mijë lekë të vjetra,  shumë e cila llogaritet në bazë të tarifës që kanë biletat e transportit publik urban.

Ylli thotë se përveç se shuma është e pamjaftueshme, edhe po të mjaftonte ajo zonë ka shumë vështirësi për transport. I duhet të ecë me kilometra në këmbë për të gjetur makina të rastit. Në të kundërt i duhet të rezervojë taksi private për të vajtur në dializë dhe për t’u kthyer gjithashtu. Gazetarët e Fiks Fare ndoqën qytetarin Rërëza në një prej ditëve kur kishte seancën e dializës.

Yllit i duhet të ecë me kilometra në këmbë për të arritur në stacionet që i duhet. Shpenzimi ditor shkon 600 lekë. Në muaj 7200 lekë, ndërkohë që ai rimbursohet vetëm 2000 lekë në muaj.  Gazetarët e Fiks Fare, bashkë me denoncuesin u interesuan pranë Drejtorisë Rajonale të Spitalit Fier ku nëndrejtori i financës tha se ky rimbursim bëhet në basë të kilometrave në largësi që janë personat, ndërsa për heqjen e autoambulancës në pjesën e transportit për t’ia bërë më të thjeshtë qytetarit lëvizjen, nën drejtori u pohoi gazetarëve se duhet t’i drejtohen me një kërkesë Spitalit Fier.

Ky i fundit në përgjigjen e tij  tha se fluksi është i madhe dhe se  pacienti nuk është në gjendje kritike. Autoambulanca transporton pacientët që janë në gjendje kritike. Kurse rimbursimi i biletës bëhet në bazë të Urdhërit të  Ministrit të Shëndetësisë  nr. 469/ dt. ku thuhet se Drejtoria e Spitalit rimburson koston e transportit nga banesa në qendrën e dializës  dhe anasjelltas, në masën  e tarifave të përcaktuara për funksionimin e shërbimit  urban publik.

Në Vendimin NR. 66 datë 07.02.2007 “Për ndryshimin e tarifave të transportit të udhëtarëve sipas këtij vendimi për pacientin Ylli Rërëza me vendbanim në Vlosh -Kurjan , me distancë kilometrike 24 km, tarifa është 80 lekë.

Për çdo seancë dialize, vajtje – ardhje 160 lekë dhe nga kjo përllogaritje ai përfiton 2000 lekë në muaj. Por Fiksi tregoi se këto lekë nuk i dalin për gjithë muajin, pasi kostoja ditore e transportit nuk është 80 lekë por 600 lekë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat