Begaj pret Yuri Kim në takimin e lamtumirës: Do të mbetet një mike e mirë e Shqipërisë dhe shqiptarëve

Shqipëria

Begaj pret Yuri Kim në takimin e lamtumirës: Do të mbetet një mike e mirë e Shqipërisë dhe shqiptarëve

Më: 20 qershor 2023 Në ora: 13:50
Foto nga takimi

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në një takim ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, me rastin e përfundimit të misionit të saj diplomatik në vendin tonë.

Begaj e falënderoi Kim për kontributin e dhënë në forcimin e gjithanshëm të marrëdhënieve midis SHBA-së dhe Shqipërisë gjatë mandatit të saj.

Në mënyrë të veçantë, Presidenti Begaj vlerësoi rolin dhe angazhimin domethënës të ambasadores Kim në avancimin e reformës në drejtësi, në forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, si edhe të luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Kreu i Lartë i Shtetit vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë të Yuri Kim me institucionet shqiptare për nxitjen dhe koordinimin e bashkëpunimit mes agjencive të specializuara të dy vendeve për çështjet e mbrojtjes dhe të sigurisë, me fokus të veçantë në atë kibernetike.

Presidenti Begaj falënderoi ambasadoren Kim për angazhimin e saj në rritjen e shkëmbimeve tregtare mes vendit tonë dhe SHBA-së, por edhe për rritjen e aktivitetit të bizneseve amerikane në Shqipëri.

Duke çmuar marrëdhëniet e ngushta e njerëzore që ambasadorja krijoi me shqiptarët në të gjitha krahinat e vendit, si dhe duke i uruar suksese në detyrat e angazhimet e ardhshme profesionale, Begaj shprehu besimin se ambasadorja Kim do të mbetet një mike e mirë e shqiptarëve dhe gjithmonë e mirëpritur në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat