Mori 50 mijë lekë që të ndikonte tek gjyqtari dhe prokurori për vendimin ndaj një të arrestuari, urdhër-arresti ndaj oficerit të policisë gjyqësore, akuza dhe për dekonspirim

Shqipëria

Mori 50 mijë lekë që të ndikonte tek gjyqtari dhe prokurori për vendimin ndaj një të arrestuari, urdhër-arresti ndaj oficerit të policisë gjyqësore, akuza dhe për dekonspirim

Më: 30 qershor 2023 Në ora: 14:07
SPAK

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pas hetimit të kryer në kuadër të procedimit penal kundër zyrtarëve publik ka vendosur masën e arrestit me burg për oficerin e Policisë Gjyqësore në Tiranë, Fatbardh Lala.

Ai akuzohet se mori ryshfet për ndikimin tek prokurori dhe gjyqtarët për vendimin ndaj një të arrestuari. Po kështu OPGJ Lala sipas hetimeve të SPAK ka zbuluar sekrete nga një dosje hetimore për të lehtësuar masën e sigurisë të një personi kundrejt një shume të caktuar monetare.

SPAK ka vendosur masat e sigurimit personal ndaj personave nën hetim E. Ll. dhe T. Ll., janë ekzekutuar më datë 29.06.2023, ndërkohë personi nën hetim Fatbardh Lala, me detyrë oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, rezulton të jetë larguar jashtë vendit, dhe për rrjedhojë ekzekutimi i masës së sigurimit arrest në burg nuk është ekzekutuar.

NJOFTIMI I SPAK

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.180 datë 19.10.2022, për veprat penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1, dhe 25 paragrafi 2 i Kodit Penal në ngarkim të personave nën hetim T. Ll. dhe E. Ll., dhe 245/1, paragrafi 4 të Kodit Penal, për personin nën hetim F. L.

Pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.73 datë 28.06.2023 ka vendosur:

Caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale ndaj shtetasit F. L., i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi 4 dhe 295/a të Kodit Penal.
Caktimin e masës së sigurimit “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale për të dyshuarit E. LL. Dhe T. LL, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim parashikuar nga Neni 245/1 paragrafi 2 dhe 25 të Kodit Penal.

Masat e sigurimit personal ndaj personave nën hetim E. Ll. dhe T. Ll., janë ekzekutuar më datë 29.06.2023, ndërkohë personi nën hetim F. L., me detyrë oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, rezulton të jetë larguar jashtë vendit, dhe për rrjedhojë ekzekutimi i masës së sigurimit arrest në burg nuk është ekzekutuar.

Nga tërësia e hetimeve të kryera deri në këtë fazë, ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova dhe fakte se shtetasi në hetim F. L., me detyrë oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka marrë përsipër të ushtrojë ndikim dhe ka pranuar shumën monetare të dhënë nga shtetasja T. Ll. (që rezulton të jetë më shumë se 50.000 lekë), tek Prokurori i çështjes me të pandehur shtetasin E. Ll. dhe tek Gjyqtari i çështjes duke konsumuar në këtë mënyrë figurën e veprës penale të parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 i Kodit Penal.

Ndërkohë shtetasit E. Ll. dhe T. Ll. duke dhënë shuma monetare (rezulton se ka dhënë më shumë se 50.000 lekë) oficerit të policisë gjyqësore F. L., pasi ky i fundit i ka siguruar se mund të ushtrojë ndikim te funksionarët publikë, siç janë në rastin konkret prokurori/gjyqtari që kanë pasur në hetim/gjykim çështjen penale në ngarkim të shtetasit E. Ll., pavarësisht se shtetasi Ermir Llagaçi, u dënua me burgim, pra pasoja e dëshiruar nuk ka ardhur, vepra penale e parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 të Kodit Penal nga ana e tyre konsiderohet e konsumuar. Njëkohësisht E. Ll. i ka paguar avokatit S. A. shumën prej 300.000 lekësh, duke qenë në dijeni se një pjesë e kësaj shume parash konkretisht 150.000 lekë do të jepej nga ana e avokatit me qëllim që ai të ushtronte ndikim te gjyqtarët e Apelit, të cilët ishin tre, dhe secilit do ti jepej shuma prej 50.000 lekësh.

Në vijim të hetimeve, u grumbulluan prova që krijuan dyshimin e arsyeshëm se, oficeri i policisë gjyqësore F. L. ka konsumuar edhe veprën penale të dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, parashikuar nga neni 295/a paragrafi i tretë i Kodit Penal. Kjo pasi ai ka zbuluar të dhëna që përmbajnë aktet sekrete të një ose më shumë procedimi penal, dhe këtë informacion ai e ka disponuar duke aksesuar në zyrat e tij të punës si oficer i policisë gjyqësore pranë Prokurorisë së shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Këto të dhëna Oficeri i Policisë Gjyqësore ia ka transmetuar nënës së shtetasit E. Ll. nëpërmjet telefonit madje duke rekomanduar se prokurorët duhen takuar. Këto veprime janë kryer duke cenuar rregullin e punës së tij, duke cenuar sekretin hetimor në lidhje me çështjet në fjalë, për sa kohë që prokurorët e çështjes nuk kishin ndërmarrë veprime të hapura me shtetasin E. Ll., duke cenuar në këtë mënyrë funksionimin e rregullt të organeve të drejtësisë, dhe parimin e sekretit hetimor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat