Atentati në Larushk/ Valter Bami mohon autorësinë e vrasjes: Kam qenë në shtëpi kur ka ndodhur ngjarja

Shqipëria

Atentati në Larushk/ Valter Bami mohon autorësinë e vrasjes: Kam qenë në shtëpi kur ka ndodhur ngjarja

Më: 7 korrik 2023 Në ora: 09:30
Foto nga vendngjarja

Valter Bami i cili u arrestua mbrëmjen e djeshme nga Policia e Tiranës, ka mohuar sërish që ai të jetë pjesëmarrës në atentatin ndaj Gentian Bejtjes ku humbi jetën Ramazan Sino.

Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj, raporton se gjatë marrjes në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, Bami është shprehur se kur ka ndodhur ngjarja ai po qëndronte në shtëpi. Mirëpo, burime nga policia bëjnë me dije se sipas veprimeve hetimore, 37-vjeçari ka qëlluar atë natë.

Evidentimi i shenjave të barutit është bërë në mikroskop elektronik, që ka qenë vendimtar për nxjerrjen e urdhër-arrestit për Bamin. Gjurma e barutit i është gjetur tek kyçi i dorës. Bami ka patur doreza dhe pjesa e gishtave dhe pëllëmbës ka dal e pastër. Deri më tani ka vetëm një akuzë ndaj tij atë të “armëmbajtjes pa leje”.

Bashkë me Bamin u shoqëruan në polici edhe dy persona të tjerë të cilët ndodheshin në shoqërinë e Bamit. Pasi janë marrë në pyetje, ata pritet të lirohen pasi nuk janë ngritur akuza ndaj tyre.

Sjellim në vëmendje se Valter Bami lokalizua dhe më pas u kap nga efektivët e policisë, rreth orës 20:30 të së enjtes, në fshatin Greps, të Niklës, për t’u shoqëruar drejt Tiranës.

Në video: Momenti i ndalimit të Valter Bamit

Valter Bami sipas policisë është ndaluar për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në vijim të hetimeve për ngjarjen e datës 3 Korrik në fshatin Larushk të Krujës, ku në oborrin e banesës së Gentjan Bejtjas u qëllua me armë zjarri dhe për pasojë u vra kunati i tij Ramazan Sino.

Për herë të parë, Bami u shoqërua rreth orës 04:00 të 3 Korrikut. Atij iu mor deklarimi për këtë ngjarje dhe më pas u la i lirë. Ndërsa këtë të enjte, bazuar në përgjigjen e aktit të ekspertimit kimik, ka rezultuar se në dorën e majtë janë gjetur sipas policisë faktorë plotësues të qitjes me armë zjarri, që do të thotë mbetje të barutit. Ndaj në bazë të ekspertizës, Prokuroria lëshoi edhe urdhrin e ndalimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat