Inceneratori i sekuestruar i Tiranës, nën administrimin e shtetit

Shqipëria

Inceneratori i sekuestruar i Tiranës, nën administrimin e shtetit

Më: 10 gusht 2023 Në ora: 23:12
Administratori Arjan Baçi, i caktuar nga shteti nç impiantin e trajtimit të mbetjeve në Tiranë

Në Shqipëri, administratori i caktuar nga shteti për drejtimin e kompanisë të trajtimit të mbetjeve në Tiranë, Arjan Baçi tha sot se pas vënies nën sekuestro të shoqërisë, puna vijon normalisht. “Po ndiqen të gjitha kontrata e lidhura, po shihen të gjitha detyrimet e prapambetira që kompani të ndryshme kanë ndaj shoqërisë, në mënyrë që të bëhet i mundur vijimi i punës dhe trajtimi i mbetjeve urbane. Një problematikë që është vënë re nga nformacionet e para që kemi marrë është se bashki të qarkut të Tiranës, janë ende debitorë ndaj shoqërisë, e po bëhet muaji i tretë që nuk kanë shlyer detyrimet”, tha zoti Baçi duke përmendur mes bashkive që nuk kanë kryer pagesat atë të qytetit të Tiranës, Vorës apo dhe Kavajës.

Administratori Baçi shpjegoi se po kontaktohen bashkitë për respektimin e detyrimeve, pasi në të kundërt, sipas tij, do të rrezikohej kaosi në administrimin e mbetjeve urbane në qarkun e Tiranës.

Impianti i kryeqytetit u vu nën sekuestro në fund të muajit korrik, me kërkesë të Prokurorisë së posaçme, pasi nga hetimet rezultoi se dy sipërmarrësit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të përfshirë dhe në ndërtimin e dy impianteve të tjerë të ngjashëm, në Elbasan dhe Fier, rezultojnë të jenë pronarët “de facto” të kësaj shoqërie. Që të dy, janë shpallur prej kohësh në kërkim, dhe ndaj tyre rëndojnë një sërë akuzash. Për rastin e Tiranës, veç faktit që sipas prokurorisë kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmë, ata dyshohet të kenë përfituar afro 4 milionë euro përmes faturave të falsifikuara.

Administratori Baçi deklaroi se ishte ende duke u njohur me dokumentacionin e kompanisë e se për momentin nuk mund të jepte shpjegime mbi arsyet se përse 6 vjet pas nënshkrimit të kontratës, funksionon vetëm landfilli, ndërsa impianti i djegies së mbeturinave, apo inceneratori, nuk ka nisur ende nga ndërtimi.

Hetimet për inceneratorin e Tiranës janë në vazhdim, ndërsa rastet e Elbasanit dhe Fierit janë tashmë në gjykatë në fazat e fundit të procesit. Paralelisht Prokuroria e posaçme po heton në një procedim të ndarë dhe rolin e disa institucioneve shtetërore. Në kuadër të këtyre hetimeve ajo kërkoi në muajin korrik, arrestimin e ish zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj, i dyshuar për të paktën tre vepra penale.

Gjykata e posaçme e Apelit rrëzon kërkesën e Ahmetajt për heqjen e sekuestros së një apartamenti në Tiranë

Pak ditë pasi parlamenti kishte autorizuar arrestimin e ish zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj, Prokuroria e posaçme mori miratimin e Gjykatës për vendosjen nën sekuestro preventive të disa pasurive të tij, të paktën 4 apartamente dhe dy llogari bankare, ku gjendeshin të depozituara, mbi 124 mijë euro. Për njërin prej këtyre apartamenteve, i ndodhur në Tiranë, zoti Ahmetaj, i cili është në arrati, kishte kërkuar përmes avokatëve të tij, heqjen e sekuestros. Por sikundër Gjykata e posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të enjten edhe Gjykata e Apelit e rrëzoi këtë kërkesë të tij.

Më herët, nën sekuestro kishin përfunduar dhe dy vila në bregdet, njëra në zonën e Hamallajt, në Durrës, e cila figuronte në emrin e bashkëjetueses së tij, dhe një tjetër në një nga komplekeset më luksoze, në Palasë, në jug të vendit, e cila zyrtarisht i përket një shoqes së ish bashkëshortes së zotit Ahmetaj, por që sipas prokurorisë është përdorur për të fshehur pronësinë e vërtetë të familjes së ish zëvendëskryeministrit.

Zoti Ahmetaj, akuzohet për të paktën tre vepra penale, nga korrupsioni, të fshehja apo mos deklarimi i pasurisë dhe pastrimi i parave. Ai u largua nga Shqipëria, ditën që Prokuroria e Posaçme firmosi kërkesën drejtuar parlamentit për arrestimin e tij. Ai deklaroi më pas, se do të kthehej vetëm kur të ndriçohej e vërteta.

Pak javë më parë, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, zhvilluan kontrolle në të paktën 7 banesa të personave të afërt me zotin Ahmetaj, duke bërë të ditur se kishin sekuestruar dokumenta, telefona dhe kompjutera me interes për hetimin. Nga jashtë vendit, zoti Ahmetaj reagoi duke deklaruar se këto kontrolle ishin “raprezalja e radhës në familjen time”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat