Dy turistë italianë gjejnë portofolin dhe e dorëzojnë në polici, Balla: U shlye edhe borxhi i restorantit në Berat

Shqipëria

Dy turistë italianë gjejnë portofolin dhe e dorëzojnë në polici, Balla: U shlye edhe borxhi i restorantit në Berat

Më: 19 gusht 2023 Në ora: 22:46
Foto nga takimi

Dy turistë italianë kanë gjetur një portofol me lekë dhe dokumente të tjera personale të një shtetasi shqiptar dhe e kanë dorëzuar menjëherë në Komisariatin e Policisë Lushnjë.

Shërbimet e Policisë më pas i dorëzuan këtij shtetasi, portofolin që kishte humbur në qytetin e Lushnjës.

Policia e Shtetit njoftoi sot se, dy turistë italianë, duke udhëtuar me biçikletë, kanë gjetur në rrugë, një portofol me një shumë parash dhe e kanë dorëzuar në Komisariatin e Policisë Lushnjë.

Shërbimet e Policisë, pasi kanë kryer verifikimet në bazë të kartës ID që ishte në portofol, kanë njoftuar shtetasin që e kishte humbur, i cili është paraqitur në Komisariat për të marrë portofolin me shumën e konsiderueshme të parave, kartat bankare dhe kartën e identitetit.

Pasi ka marrë portofolin, ai ka falënderuar punonjësit e Policisë dhe dy turistët italianë, për gjestin e tyre.

Për këtë ngjarje reagoi edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla i cili u shpreh se me këtë veprim u shlye edhe borxhi i restorantit në Berat.

“Ja dhe borxhi i Restorantit në Berat u shlye. Dy turistë italianë gjejnë portofolin me të holla dhe dokumente të tjera personale të një banori dhe e dorëzojnë menjëherë në Komisariatin e Policisë Lushnjë”, shkroi Balla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat