Rama inaguroi ujësjellësin 10 muaj më parë, Peshkopia sot furnizohet me ujë të pijshëm vetëm disa minuta në ditë

Shqipëria

Rama inaguroi ujësjellësin 10 muaj më parë, Peshkopia sot furnizohet me ujë të pijshëm vetëm disa minuta në ditë

Më: 24 gusht 2023 Në ora: 15:42
Peshkopi

Qytetarët e Peshkopisë duhet të kishin 24 orë ujë në ditë, por sot ata janë duke vuajtur mungesën e ujit të pijshëm në banesat e tyre. Në Tetor të vitit të kaluar, ishte vetë kryeministri Edi Rama së bashku me kryebashkiakun e Dibrës, Rahim Spahiu që inspektuan punimet në ujësjellësin që ka kushtuar rreth 7 milionë euro. Asokohe Rama deklaronte se më në fund 36 mijë banorë të Dibrës do të furnizoheshin me ujë 24 orë.

Gazetari Enver Doçi ka raportuar se ndonëse zona e Dibrës është e mbushur me burime ujore për shkak se rrethohet nga malet, qytetarët e Peshkopisë po përballen me mungesë të ujit të pijshëm gjatë ditëve të nxehta të gushtit. Vetë qytetarët shprehen se të paktën në dy javët e fundit, uji i pijshëm shkon nga 20 minuta deri në një orë në ditë.

Qytetarët shprehen se kjo situatë nuk ka ndodhur ndonjëherë më parë, ndërsa me investimin e ri që i është bërë ujësjellësit, duhej që të kishin ujë 24 orë ashtu siç u është premtuar. Ata tregojnë se po përballen me mungesë të ujit për konsum dhe se duhet të presin deri në 48 orë që të mbushin ujë për ta patur për konsum në banesat e tyre.

Të pyetur në lidhje me këtë situatë, drejtues të ujësjellës-kanalizimeve Dibër dhe përfaqësues të Bashkisë, thanë se shkak i ardhjes së ujit vetëm për disa minuta në ditë është bërë rënia e prurjeve në burimin nga ku furnizohet ujësjellësi i qytetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat