Ndihmoi autorin e një atentati të largohej, arrestohet 23-vjeçari

Shqipëria

Ndihmoi autorin e një atentati të largohej, arrestohet 23-vjeçari

Më: 29 gusht 2023 Në ora: 13:19
Foto ilustrim

Një 23-vjeçar i cili ndihmoi autorin e një atentati të largohej nga vendngjarja dy  muaj më parë, është arrestuar nga policia këtë të martë.

Gjykata e Dibrës i ka caktuar 23-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

I riu akuzohet se më datë 6 qershor 2023, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, ka ndihmuar për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, një 33-vjeçar që tentoi të vriste me armë zjarri një 20-vjeçar, në qytetin e Peshkopisë, si dhe nuk ka kallëzuar për këtë krim.

23-vjeçari, banues në Peshkopi u arrestua në flagrancë këtë të martë nga shërbimet operacionale dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Dibër.

Materialet procedurale në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

“Në vijim të kërkimeve dhe punës operacionale për lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale, shërbimet operacionale dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Dibër, vunë në pranga shtetasin I. B., 23 vjeç, banues në Peshkopi”, thuhet në njoftimin e policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat