Vrasja e 37-vjeçares që shokoi publikun, reagon policia: Familjarët fshehën krimin

Shqipëria

Vrasja e 37-vjeçares që shokoi publikun, reagon policia: Familjarët fshehën krimin

Më: 3 shtator 2023 Në ora: 09:24
Foto ilustrim

Policia ka reaguar lidhur me vrasjen e 37-vjeçares në Tiranë nga motra e saj. Në njoftimin zyrtar, një ditë pasi ka ndodhur ngjarja, policia thotë se familjarët e raportuan si vdekje natyrale, por pas ekzaminimeve janë konstatuar plagët në trup.

“Ditën e djeshme, rreth orës 11:40, është marrë njoftim se në rrugën "Hajdar Hidri", shtetasja A. P., 37 vjeçe, kishte ndërruar jetë dyshohet për shkaqe natyre.

Pas marrjes së njoftimit, Shërbimet e Policisë kanë kaluar menjëherë në vendngjarje, dhe pas konstatimit të trupit të pajetë të shtetases A. P., 37 vjeçe, e cila fillimisht është raportuar si vdekje natyrale nga familjarët, kanë vijuar veprimet hetimore të thelluara në lidhje me rastin, për të bërë të mundur zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Pas kryerjes së autopsisë ka rezultuar se shtetasja A. P., 37 vjeçe, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga një mjet prerës.

Në vijim të veprimeve, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda arrestuan shtetasen M. P., 40 vjeç, (motrën e saj), banuese në Tiranë, për veprën penale "Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare", pasi ditën e djeshme, gjatë një konflikti ka goditur me mjet prerës shtetasen A. P., e cila si pasojë e plagëve të marra, ka ndërruar jetë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale”, njofton policia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat