Krijimi i qeverisë në Malin e Zi, analisti Nazarko: Shqiptarët kanë votat kyçe, por janë më të ndarë se kurrë

Shqipëria

Krijimi i qeverisë në Malin e Zi, analisti Nazarko: Shqiptarët kanë votat kyçe, por janë më të ndarë se kurrë

Më: 4 shtator 2023 Në ora: 16:09
Analisti Mentor Nazarko

Analisti Mentor Nazarko, nga studioja e ‘ABC News’, ka komentuar zhvillimet politike në Malin e Zi, krijimin e qeverisë atje.

Nazarko komentoi forumin e Bled, i cili u mbajt në Slloveni, ku bëri ka bërë një lidhje të këtyre zhvillimeve, ku tha se “Në takimin e Bledit, kryeministri në detyrë, Abazoviç, në një fare mënyre u tall, por e diferencoi pozitivisht vendin e vet, nga gjithë zhvillimet e tjera në Ballkan. Ai tha: “Ne jemi vendi i diellit dhe i zbavitjes, urojmë të zgjasë sezoni tuistik që ekonomia të vazhdojë, duke treguar se ne jemi ndryshe nga këta vendet e tjera që zihen, dhe ju lutem na vendosni në shoqëri të mirë që të kemi më shumë sukses, pra na integroni”. Kjo fjali tregon ekzaktësisht si është roli i Malit të Zi në kuadrin rajonal”, tha Nazarko.

Sakaq, analisti  listoi disa nga zhvillimet e fundit që kanë nxitur ndryshime epokale, në Malin e Zi.

“Mali i Zi ka realizuar brenda muajve të fundit, ka shënuar ndryshime të mëdha epokale, i është dhënë fund pushtetit të Gjukanoviç si president, partisë së tij si udhëheqëse e qeverisë, fronti serb është ridimensionuar cilësisht, shqiptarët janë aformuar numerikisht por edhe cilësisht në qeveri por edhe me kryeministrin dhe me poste të tjera dhe të gjitha këto kanë ndodhur shumë qetësisht. Kjo është në një farë mënyre sinteza e zhvillimeve në Mal të Zi”, tha Nazarko.

Sipas tij, “shtytësi” ka qenë kryeministri me origjinë shqiptare, Dritan Abazoviç që analisti e konsideroi ndryshe edhe “promotorin” e “ideatorin” e këtyre ndryshimeve.

Duke bërë një paralele të zhvillimeve të sotme, me ato të 2 viteve më parë, kur u krijua qeveria e Abazoviç, Nazarko tha se “Prapë shqiptarët në qeverinë e Spajiçit deri sa dime ne me negociatat e fundit, ofrojnë katër votat kyçe për krijimin e kësaj qeverie. Por shqiptarët janë më të ndarë sesa kurrë më pare. Është Gjeloshi që ka dy deputetë, është Nimanbegu me 1 dhe pastaj Zenka që kërcen nga fronti i Gjukanoviçit tek qeveria. Pra katër shqiptarë ofrojnë katër vota që bëjnë 42 për të krijuar shumicën e qeverisë së re të Spajiçit, i cili nuk e ka, megjiathë, sharmin e ndryshimit e rotacionit që e kishte shoku i vet, Milatoviç”.

Po ashtu, ai kujtoi një tjetër zhvillim të ditëve të fundit. Presidenti për herë të parë e ka kritikuar Spajiçin për negociatën, edhe pse fakti që marrëdhënia midis Milatoviç dhe Spajiç nuk kanë qënë dhe aq të mira, nuk ka qenë asnjëherë sekret.

“Ai rikonfirmoi atë që s’ka qënë sekret. U përfshi, shkeli një lloj norme, që presidenti ndërhyn në ritmin e negociatave, cilësinë e tyre, duke kritikuar faktin që këto janë negociata të zhvilluara pa qartësi pa një set parimesh, pa një platformë parimesh të qëndrueshme”, përmbylli Nazarko.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat