Nga heqja e imunitetit për politikanët nën hetim nga SPAK, te zgjedhja e Presidentit nga populli, zbardhen propozimet e PD!

Shqipëria

Nga heqja e imunitetit për politikanët nën hetim nga SPAK, te zgjedhja e Presidentit nga populli, zbardhen propozimet e PD!

Më: 22 shtator 2023 Në ora: 09:14
Lulzim Basha

Partia Demokratike publikoi dje 6 propozime ndonëse të konsumuara, për Reformën Zgjedhore.

Kryedemokrati Lulzim Basha u shtriu dorën forcave të tjera politike për të sjellë atë që ai e quajti demokraci të standardeve evropiane. Ndër to u përmendën Listat e Hapura, Vettingu i Politikanëve, Heqja e imunitetit të polikanëve nën hetim nga SPAK, por edhe zgjedhja e presidentit nga Populli. Në asnjërën prej propozimeve nuk pati ndonjë risi, e megjiathatë Basha shprehu ftesën për çdokënd të lënë mënjanë për t’u bërë bashkë për këtë reformë të cilën e cilësoi si të rëndësishme.

“Në emër të këtij vullneti të përbashkët politik ne shtrijmë sot dorën ndaj çdo faktori politik dhe shoqëror që të lënë mënjanë axhendat e ngushta, interesat personale dhe të bashkohen në një reformë zgjedhore që iu jep qytetarëve shqiptarë një demokraci të standardit europian. Duke nisur me listat e hapura. Lidhjen e drejtpërdrejt të votuesit me të zgjedhurin, pa sekser në mes. Lista të hapura për ne do të thotë largimi i konceptit të herësit nga kodi zgjedhor. Qytetarët vendosin vetë se cilin nga kandidatët dëshirojnë të dërgojnë në parlament”, deklaroi Basha.

Sipas tij, listat e hapura do të garantojnë kështu që shqiptarët të kenë një parlament të përbërë nga njerëz që janë produkt i drejtpërdrejt i votës së tyre, jo i renditjeve partiake, jo i renditjes personale, qofshin të kryetarit të partisë, apo faktorëve të tjerë.

“Këtu vijmë te pika e dytë, vettingu i politikanëve. Faktorët kryesorë malinj nuk janë Rusia e Putinit apo Irani, faktori kryesor malinj që rrezikon Shqipërinë është korrupsioni dhe krimi i organizuar, influenca e tyre shtrihet dukshëm në parlament, në këshillat bashkiakë, në institucionet e rëndësishme të vendit ka pasur dhe ka individë të cilët nuk justifikojnë pasuritë e tyre marramendëse. Ka individë që janë për turpin e Shqipërisë personazhe të transkripteve të INTERPOL-it dhe EUROPOL-it. Pastrimi i politikës mund të kryhet nga vettingu i politikanëve. Listat e hapura marrin kuptim nëse i japim fund pabarazisë së votës”, u shpreh Lulzim Basha.

Në fjalën e tij, Basha u shpreh se është mundësia për të shtrirë horizontin drejt një kushtetute të re. Basha përmendi listat e hapura dhe vettingun në politikë si dy elementët kryesore të reformës zgjedhore.

Ai po ashtu tha se “ne shtrijmë dorën ndaj çdokujt që të lënë mënjanë ndasitë e të bëhemi bashkë për një reformë të rëndësishme”.

“Është mundësia për të shtrirë horizontin drejt një kushtetutë të re, horizonti i të cilës duhet të përmbledhë jo vetëm ndryshimet që nga 1998, 2008 famëkeqe që sot penalizon qytetarët dhe kontrollin e pushtëve por edhe horizontin e shpresës dhe të rinisë shqiptarë. Kjo natyrisht është një punë e jashtëzakonshme që kërkon vullnet politik. Sot, do qëndrojmë në një nga stacionet për çlirimin e politikës dhe ekonominë shqiptarë, që janë propozimet për reformën zgjedhore. Ne shtrijmë sot dorën ndaj çdokujt që të lënë mënjanë ndasitë e të bëhemi bashkë për një reformë të rëndësishme”, tha Basha.

Gjatë prezantimit të Reformës Zgjedhore u shpreh se të gjithë emigrantëve duhet t’u garantohet e drejta për të votuar në vendet ku ata jetojnë. Për këtë propozoi votimin elektronik. Komentet Basha i bëri gjatë një takimi për prezantimin e Reformës Zgjedhore, ku vuri në dukje disa pika për të cilat do të luftojë PD e drejtuar prej tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat