Vangjel Dule denoncon probleme me Censusin: Regjistruesit nuk pyesin qytetarët për etninë, gjuhën dhe besimin fetar

Shqipëria

Vangjel Dule denoncon probleme me Censusin: Regjistruesit nuk pyesin qytetarët për etninë, gjuhën dhe besimin fetar

Më: 27 shtator 2023 Në ora: 11:23
Vangjel Dule

Kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule në një deklaratë për mediat nga kryesia e Kuvendit denoncoi sot probleme sipas tij me Censusin e popullsisë.

Dule tha se regjistruesit nuk e kryejnë shënimin në tableta pas përgjigjeve të qytetarëve, por me dorë dhe deklarojnë se do t’i hedhin më pas në mënyrë elektronike, si dhe nuk i pyesin qytetarët për etninë, gjuhën dhe besimin fetar, ashtu siç përcakton ligji.

“Në vendin tonë është regjistrimi i tretë i populli që zhvillohet pas rënies së regjimit totalitar. Në 2001 nuk u përfshinë pyetje në lidhje me përkatësinë etnike, gjuhën amtare dhe afilimin fetar, për rrjedhojë pjesëtarët e komuniteteve nuk morën pjesë në atë regjistrim.

Në regjistrimin tjetër kërkohej që të dhënat që do të mblidheshin nga qytetarët të gërshetoheshin me ato të gjendjes civile dhe në rast moskonkordancë do kishte gjobë. Praktika të papranueshme dhe për rrjedhojë bojkot i dytë i pjesëtarëve të komuniteteve.

Me shumë këmbëngulje në përgatitje të censusit jemi përpjekur në mënyrë konstruktive të japim kontributin tonë për një proces korrekt. Deri në momentet e fundit në takime me INSTAT-in jemi përpjekur për frymë bashkëpunimi, për një rezultat demokratik.

Prej 18 shtatorit ka filluar cens 2023, me shqetësim po ju prezantojmë gjetjet e aktivistëve të PBDNJ dhe asociacioneve të minoriteteve në lidhje me zhvillimin e këtij censusi.

Ka shumë raste kur regjistruesit në kundërshtim flagrant me ligjin, nuk e kryejnë shënimin në tableta por mbajnë shënime, me justifikimin se do i hedhin më vonë në tabletë.

Së dyti, nuk lihet shënim me shkrim në ato banesë ku nuk gjendet një qytetar.

Apo dhe më keq, kemi raste të denoncuara, në Tiranë, Korçë, Sarandë e gjetkë, ku nuk u drejtohen qytetareve pyetje në lidhje me përkatësinë etnike, gjuhën amtare dhe besimin fetar. Qytet që kërkojnë të deklarojnë dhe këto elemente, iu thuhet se këto elemente janë fakultative. Ligji e bën të qartë që përgjigjja nga qytetarët është fakultative, jo pyetja nga regjistruesit”, deklaroi Dule.

Ai solli dy shembuj nga Jugu i vendit, ku sipas tij ishte kryer shkelje.

“Në Sarandë, një biznesmen i njohur kur kërkoi të regjistrohej përkatësia e tij etnike greke, në mënyrë të përsëritur u pyet nëse ishte i sigurt, sepse kishte biznes, sepse kishte prona dhe vetëm pas një insistimi të vazhdueshëm u regjistrua përkatësia etnike, gjuha amtarë dhe përkatësia fetare.

Një rast tjetër, në shtëpinë e drejtuesit më të lartë të OMONIA-s kur regjistruesi po plotësonte dokumentacionit e kryefamiljarit, babait të tij, regjistruesi mohonte me insistim të regjistronte pjesëtarë të familjes”, tha kreu i PBDNJ-së.

Ai theksoi se kemi të bëjmë me shkelje flagrante të cilat fatkeqësisht janë shoqëruar dhe më një retorikë agresive, nacionaliste në shumë media, duke ngritur kërcënime hipotetike, të paqena.

“Për të ardhur keq që edhe zyrtarë të lartë dhe nëpunës të administratës ngrenë shqetësime të tilla, të cilat janë në kundërvënie me frymën europiane.

Do dëshiroja t’iu drejtohesha qytetarëve të insistojnë të deklarojnë nëse është vullneti i tyre, përkatësinë etnike, gjuhën amtarë dhe besimin fetar. Është një e drejtë e tyre.

Ai tha se për çdo denoncim ka fakte me emra, mbiemra, vendbanim dhe bashki ku ka ndodhur.

BE dhe çdo shtetas anëtar i tij, ka të drejtë të shprehin shqetësimet e tyre, kur bëhet fjalë për situatën e demokracisë dhe shtetin e të drejtës. Do ju lutesha që të bënit një kontroll, që kur ka filluar regjistrimi i popullsisë, a keni dëgjuar ndonjë pozicionim nga unë apo PBDNJ. Shikoni se kush ngre tonet dhe përse. Jemi të interesuar dhe jemi përpjekur për një regjistrim të saktë dhe të drejtë konfirmon normave të BE. Nuk mund të heshtim për këto shkelje, s’ka asnjë qëllim për ngritje tonesh, pasi procesin e duam të plotë. Mënyra se si ndodh, nuk çon aty për momentin”, theksoi Dule.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat