Bojkoti i mjekëve të rinj/ Alimehmeti: Studentët po detyrohen. Koja: Nëse nuk shërbejnë, të paguajnë e të ikin!

Shqipëria

Bojkoti i mjekëve të rinj/ Alimehmeti: Studentët po detyrohen. Koja: Nëse nuk shërbejnë, të paguajnë e të ikin!

Më: 3 tetor 2023 Në ora: 21:58
Mjeku Ilir Alimehmeti, i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24

Mjeku Ilir Alimehmeti, i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka folur në lidhje me propozimin e qeverisë për kontratat e studentëve të mjekësisë pas përfundimit të studimeve.

Ai u shpreh se në vend ka pasur një një keqmenaxhim të burimeve njerëzore sa i takon mungesës së mjekëve.

Sipas tij ligji i propozuar është një detyrim për studentët e mjekësisë, gjë që nuk e zgjidh situatën.

Ai shtoi se problematika qëndron në mungesën e shërbimit shëndetësor në zona të thella, gjë që duhet zgjidhur në mënyrë imediate.

“Bojkoti është mënyra si studentët kanë shfaqur mendimin e tyre kundërshtar me ligjin në fjalë që u miratua me procedurë të përshpejtuar. Ata konsiderojnë se u është bërë një padrejtësi.

Jemi dakord që ka mungesë mjekësh në Shqipëri. Jemi të bindur që ka. Ka një keqmenaxhim të burimeve njerëzore me mjekët. Pse është ndërhyrë në këtë mënyrë. Ky është detyrim për studentët.

Në shumë zona ka njerëz pa shërbim shëndetësor. Çfarë do i themi të moshuarve në këto zona, që të presin 10 vjet që të diplomohen këta mjekë të rinj, apo t’i motivojmë këta mjekë me kushte më të mira që të japin shërbimin? Gjysma e të keqes është pranimi i problemit”, tha ai ndër të tjera.

Nga ana tjetër mjeku dhe pedagogu, Gjergj Koja, u shpreh se dikur studentët e mjekësisë nuk mund të gjenin punë pas përfundimit të studimeve, dnërsa sot u jepet kjo mundësi.

Ai u shpreh më tej se nuk ka asnjë kufizim për këta studentë, pasi sipas tij ata duhet të kthejnë investimin nëse duan të largohen menjëherë nga vendi pas përfundimit të universitetit.

“Dikur studentët dilnin nga shkolla dhe ishin pa punë, sot po flasim për diçka tjetër. Ka disa kuota që parashikon universiteti. Kuotat janë pasojë e bashkëveprimit  të institucioneve të shëndetësisë dhe universitetit. Shteti ka nevoja. Pse këtë vit janë 400 kuota, sepse këto janë nevojat për të ofruar shërbim shëndetësor. E drejta për shërbim shëndetësor është e drejtë kushtetuese. Është çështje e sigurisë kombëtare. Unë si shtet kam investuar, nuk do të shërbesh? Paguaj dhe ik, kthe investimin. Ku qëndron këtu kufizimi”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat