LIVE: Tensione në Kuvendin e Shqipërisë, Kosova “mollë sherri”

Shqipëria

LIVE: Tensione në Kuvendin e Shqipërisë, Kosova “mollë sherri”

Më: 5 tetor 2023 Në ora: 10:55 Përditësuar në ora: 13:20 më 05.10.2023
Kuvendi i Shqipërisë

Spiropali: Ne i kemi dalë zot Prishtinës! Tabaku: Pusho! Sherri se cila rezolutë është më e mirë, i turpshëm

Shmangien e debatit për Veriun e Kosovës, ish-kryeministri Sali Berisha e quajti një seancë turpi, kurse ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali tha se i “kanë dalë zot Prishtinës”.

“Jemi ata shqiptarë që nuk kandidojmë irrendentistë në bashkitë e vendit. Ne jemi ata shqiptarë që do presim samitin e Berlinit në mes të Tiranës, ne jemi ata shqiptarë që i kemi dalë për zot Kosovës në Këshillin e Sigurimit. Ne jemi ata shqiptarë që nuk i kemi shitur naftë Jugosllavisë kur luftonte në trojet e ish-Jugosllavisë dhe njerëz po vriteshin ata. Jemi ata shqiptarë që i kemi qëndruar interesit kombëtar në çdo kohë”, tha Spiropali.

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku u shpreh se është e turpshme që të bëhej një garë se cila rezolutë për Kosovën ishte më e mirë.

“Elisa me dëgjo, pusho! Kjo lufta që ‘rezoluta ime më e mirë se e jotja, duhet të marrë fund’. Zonja kryetare, dua t’ju informoj se PE pati debat për Kosovën. Njeri është ajo që bën dhe jo ajo çfarë thotë. T’iu lëmë debatet se kush rezolute është më e mira. Ka ndodhur dhe herë të kaluara. Ka ndodhur dhe me rezolutën për Srebrenicën. S’ka asgjë të keqe se kush e bën i pari rezolutën. Ne që rrimë dhe flasim këtu gjatë gjithë ditës, ikin njerëzit.”, tha ajo.

Një sqarim për rezolutën e dha edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Bledi Çuçi.

“Në situatën kur ne duhet të jemi të unifikuar ne shtrembërojmë deklaratat e njëri-tjetrit. Nuk kemi thënë ne që duhet të hetojë vetëm Serbia, lexoni mirë, aty është rezoluta është e përgatitur me shumë kujdes në mbrojtje të interesave të Kosovës dhe interesave kombëtare. Kemi thënë madje që duhet të bëjë hetim me patjetër Kosova edhe Serbia duhet të bëjë hetim, por edhe presioni ndërkombëtar për të nxjerrë rolin e Serbisë në këtë histori duhet të rritet.

Kjo është në rezolutë. Ky debat është turp edhe për shqiptarët që vazhdojmë të zihemi me retorikë boshe se dukemi si kriminelët që pasi bëjnë kontrabandë dhe vrasje në botë bëjnë shqiponjën me gishta për t’u treguar patriot”,-tha Bledi Çuçi duke ju kundërpërgjigjur kështu Gazmet Bardhit.

Ky i fundit më herët u shpreh se: “Ka një rezolutë nga PD dhe do të ishte në nderin e Kuvendi të unifikonim qëndrimin me deputetët e Kuvendit të Kosovës. Për çështje kombëtare ne nuk duhet të kemi asnjë diferencë. Nuk do të pranojmë që qëndrimi i Serbisë të përfshihet në rezolutën që do të miratojë Kuvendi i Shqipërisë. Rezoluta juaj thotë që “Serbia do të duhet të kryejë hetime”, kurse ne themi “Jo” “Kosova duhet të kryejë hetime” dhe ne do të mbështesim qëndrimin e Kosovës”.

Kosova “mollë sherri” në Kuvendin e Shqipërisë, opozita kërkon “të futet në rend dite me urgjencë”

Konferenca e Kryetarëve ka vendosur që interpelancat e kërkuara dhe rezolutat e propozuara për sulmin e 24 shtatorit në veri të Kosovës do të trajtohen në një seancë të dedikuar në 12 tetor, njoftoi kryeparlamentarja Lindita Nikolla.

Por, opozita kundërshton me ngulm këtë vendim dhe kërkon që çështja e Kosovës të futet me urgjencë në Kuvend. Deputetët demokratë i kanë përqendruar kritikat e tyre te një intervistë e kryeministrit Rama për “The Financial Times”, që sipas tyre, kreu i qeverisë “e cilësoi veriun e Kosovës, tokë të askujt”.

Luan Baçi: Është e turpshme kjo që po bëni sot, për të hequr vëmendjen nga çështjen e Kosovës. Kosova ka folur në mënyrë urgjente për problemet e saj. Është mbledhur parlamenti europian, ka folur BE, ka folur SHBA.

Po Shqipëria çfarë ka bërë. Ka thënë që veriun e Kosovës ta marrë në dorë KFOR-i, asht sikurse do Vuçiç? Shqipëria po bën lloqe në parlament, sipas skenarëve të mazhorancës. Nëse nuk e mblidhni sot, nuk ka asnjë arsye të mos mblidhemi nesër dhe të miratojmë rezolutën që ka miratuar edhe parlamenti i Kosovës.

Ramadan Likaj: Situata që po kalon Kosova kërkon që sot të ishte këtu kryeministri. Vazhdon ta injorojë parlamentin. Kemi tre muaj që nuk e shohim. Deklaratat që ka bërë nëpër Europë për Kosovës janë të rënda. Deklarata e djeshme që veriu i Kosovës nuk është tokë e askujt është skandaloze. Veriu i Kosovës është tokë e Kosovës, për të janë vrarë mijëra fëmijë. Duhet të dënojnë sulmin që bënë serbët, me qëllim aneksimin e Kosovës.

Të dilni me një qëndrim që ta ndalojë të flasë kryeministrin sikur është i një vendi armik me Kosovën.

Në një intervistë për prestigjozen britanike “The Financial Times” pas tensioneve në veri, ku forcat paramilitare serbe vranë një efektiv shqiptar dhe më pas morën peng Manastirin e Banjskës, ndërsa nga shkëmbimi i zjarrit me autoritetet ligjzbatuese mbetën të vdekur 3 terroristë, Rama e konsideroi Kosovën një pikë të nxehtë.

“Kosova është një pikë e nxehtë. Me kalimin e viteve është bërë toka e askujt, ku të gjitha llojet e krimeve kombinohen me nacionalizmin në rritje. Kufiri mes krimit dhe politikës është zbehur”.

Për këtë deklaratë, ka reaguar gazetari i “The Financial Times”, që ka sqaruar se pohimi i kryeministri Edi Rama se “veriu i Kosovës është tokë e askujt” është keqkuptuar.

E paprecendentë, deputeti i PD i gjuan operatorit me rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë!

Një incident është regjistruar sot në Kuvendin e Shqipërisë. Deputeti i PD Flamur Noka ka goditur një prej operatorëve të mediave me rregulloren e Kuvendit.

Ky moment nuk është kapur nga kamerat, ndërsa ishte kryeparlamentarja Lindita Nikolla që i tërhoqi vëmendjen duke i thënë se nuk mund të reagojë ashtu ndaj medias.

Ndërkohë, Noka ngriti pretendime se operatorët filmojnë edhe telefonat e deputetëve.0

Lindita Nikolla: Vërejte me reagimin ndaj mediave. Nuk mund të reagoni ashtu ndaj medias duke e qëlluar me rregulloren e Kuvendit. Ju lutem etikë në sallë dhe respekt ndaj medias së lirë. Nuk mund të rri unë teksa shoh një veprim të tillë.

Flamur Noka: Ti maksimumi deri tek perdja sheh, nuk sheh përjashta.

Lindita Nikolla: Sytë e mi me gjithë gjyzlykë e shohin shumë.

Flamur Noka: Edhe telefonat i filmojnë kameramanët e tu.

Lindita Nikolla: Jo nuk janë kameramanët e mi, po janë kameramanët e medias së lirë

Debat në Kuvend, Spiropali-Bashës: Memecit i erdhi goja, ka kush i del për zot Kosovës dhe Shqipërisë

Ka nisur sot Kuvendi i Shqipërisë mes debateve të shumta.

Gjatë replikës pas fjalës së Berishës dhe Bashës, të cilët kërkuan që çështja kryesore në këtë seancë të ishte Kosova, Spiropali reagoi duke u shprehur se nuk duhen futur interesat politike në çështjen e Kosovës dhe Shqipërisë. Ajo i kërkoi opozitës që të zgjidhin hallet e shtëpisë e më pas të merren me problemet e Kosovës.

“Lulzim Bashës mund t’i shkojë përshtat ajo thënia në film, “memecit i erdhi goja”, por në këtë rast do ishte zoti Lulzim i erdhi goja në Kuvend edhe i erdhi hidhur sepse nuk mundet që në këtë foltore të merret me kryetaren e kuvendit, me kuvendin e Shqipërisë, me rregullat dhe kushtetutën, kur hallin nuk e ka as tek kushtetuta as tek kuvendi, por e ka tek shtëpia e tij .

Tentativa për të krijuar një narrativë me heronj dhe tradhtarë, të shitur dhe të blerë, është narativa më e rrezikshme dhe e dëmshme për Kosovën, nuk ka më të dëmshme se kjo që për interesat e partisë të fusni Kosovën dhe Shqipërinë. Ka kush i del për zot Kosovës dhe Shqipërisë. Zgjidhni hallet e shtëpisë pastaj merruni më çështjet e Kosovës dhe Shqipërisë. Problemet që keni po ndikojnë në mënyrën më problematike për çështjet tona, por doni ta eksportoni këtë gjuhë dhe problem edhe në Kosovë. Institucionet e Kosovës i dalin për zot Kosovës, edhe Shqipëria i ka dalë Kosovës, sepse nuk ka aleatë më të fortë Kosova se Shqipërinë. Do jemi aty për ta. Ju zgjidhni problemet tuaja dhe hajde flisni këtu për të zgjidhur hallet e Kosovës”, tha Spiropali.

Basha replikon duke i thënë se janë një shkelje e kushtetutës dhe krijojnë skema që nuk flasin për problemet e njerëzve dhe çështjen e Kosovës. Madje ai kërkon edhe llogari për interpelancën e kërkuar nga PD-ja në lidhje me deklaratën e kryeministrit Rama se ‘KFOR-i të marrë nën kontroll veriun e Kosovës’.

“Ka ardhur dita që të thuash atë që ke në mendje. Ju jeni shkelje e kushtetutës pikërisht për të bërë atë që keni bërë në Kukës. Krijoni skena të tilla sepse nuk doni të flisni për problemet e njerëzve, e për Kosovën. Ku e keni interpelancën e kërkuar nga PD-ja?

E varrosët sepse nuk doni që kryeministri të vijë e të japë llogari se për deklaratën ‘KFOR-i të marrë në zotërim veriun’. KFOR-i  ka në zotërim Kosovën e veriun për një ambient të sigurt, policia e ka mandatin e saj për luftën e krimit në Kosovë. Ditën teatër, natën kulla”, shprehet Basha.

“Veriu i Kosovës, tokë e askujt”, Berisha: Deklaratë skadaloze nga Rama

Ish-kryeministri Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Kuvend ka komentuar deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në intervistën për Financial Times, ku tha se “veriu i Kosovës është kthyer në tokë të askujt”.

Sipas Berishës kjo deklaratë është skandaloze.

“Sot, kryefjala e parlamentit duhet të jetë deklarata superskandalooze e Ramës se Kosova e Veriut është toka e askujt. Nuk ka deklaratë më antishqiptare. Nuk ka deklaratë më të shpifur se kjo. Po tju pyes unë ju; pse derdhi gjakun, fali jetën, Afrim Bunjaku, ku u vra ai? U vra pikërisht në veri të Kosovës, në mënyrë që aty të sundojë rendi, ligji dhe rreggulli. Ku u zhvillua një betejë me grupet terroriste të nisura nga Vucic dhe të kryesuara nga Radojicic? Në tokën e zotërve të saj. A mund një KRIMministër të bëjë një deklaratë të tillë. Dhe tani kërkojnë të mbulohet kjo me deklaratat e turpshme këtu përpara,. Dostoevsky thotë: Njeri që kalon nga gënjeshtra në gënjeshtër, largohet nga homosapians. Ndaj zonja Nikolla, debate duhet të zhvendoset”, tha Berisha.

“Këtu ka një përpjekje të turpshme, të pafytyrë për të mbuluar me zhurma, me mashtrime dhe gënjeshtra, deklaratën superskandaloze, deklaratën më armiqësore të bërë ndonjëherë jashtë Beogradit për Kosovën, se veriu i Kosovës është toka e askujt. Ju nuk e mbuloni dot me asgjë, nuk e mbulon dot me asnjë lloj recitimi zonja Zilie Pali. E ka dashtë vetë, nuk ia kam vënë unë. Unë po flas me terma frojdianë, se po t’ia them me ato terma që ia thotë Rama, ju pastaj bërtisni, thoni shih sa vulgar është ky. Po flas me terma medikalë. Pra, nuk e mbuloni dot me asgjë këtë deklaratë të bërë vetëm një javë pasi ajo tokë u vadit me gjakun e atij që desh të bënte ligjin. Nuk e zhbëni dot ju këtu vetëm një javë pasi djemtë trima me uniformë, vendosën të përballen me një grup terroristësh dhe ta përzënë me turp nga ai territor, që i thotë Edi Rama dhe Vuçiç se është tokë e askujt. Nuk e zhbëni dot, nuk e maskoni me asgjë, me asnjë skenar, me asnjë skllav, me asnjë peng, me asgjë tjetër, deklaratën që kërkon të shkëpusë veriun e Kosovës dhe ta kthejë në protektorat të NATO-s. NATO ka përçmuar me refuzim të plotë një deklaratë të tillë të Vuçiçit dhe pengut të Vuçiçit, argatit të tij”, shtoi Berisha.

Ndërkohë, e ashpër ishte në reagim edhe ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali. Kjo e fundit teksa e cilësoi Berishën si përçarës dhe ish-sigurims, i sugjeroi që të merret me “punët e shtëpisë”, referuar përçarjes në PD.

“Sot më kujtuat një film realist që doktori duhet ta dijë se e ka bërë karrierën e tij, si në këto filma. Disa diversantë dhe sigurimsa, ju jeni në rolin e sigurimsit, dhe merren me njëri tjetrin. Saliut mund t’i shkojë për shtat ajo shprehja; memecit i erdhi goja. Në këtë rast zotit Lulzim i erdhi goja në Kuvend, i erdhi hidhur. Ai nuk mund të merret me kryetarin e Kuvendit, me kushtetutën, ku hallin nuk e ka te Kushtetuta, por te shtëpia. Nuk mundet që nga kjo foltore, nuk ka heq dot fjalën doktor siç e bëje një herë e një kohë. Tentativa për të krijuar narrativa me heronj dhe tradhtar, është tentativa më e dëmshme për Kosovën. E keni traditë këtë. S’ka gjë më të dëmshme që për interesa të paurtisë të vini në lojë Shqipërinë dhe Kosovën e vini si kolateral. Ka kush i del Kosovës për zot. Nga ulësja më e lartë në Shqipëri, Kosovë dhe BE. Zgjidhni një herë hallet e shtëpisë.”, tha ajo.

Një artikullin e Financial Times publikuar më 3 tetor ra në sy një deklaratë e Ramës, ku thuhej se “Kosova është një pikë e nxehtë dhe me kalimin e viteve është bërë një tokë e askujt ku kombinohen të gjitha llojet e krimeve”, e cila më pas është korrigjuar nga autori i shkrimit. Gazetari në një reagim të mëvonshëm sqaron se Kryeministri Rama në fjalën e tij i referohet veriut të Kosovës dhe jo shtetit të Kosovës.

Tensione në Kuvend/ Berisha bllokon Foltoren, demokratët i drejtohen Nikollës, ndërhyn Garda

Kuvendi ka vazhduar me debate të ashpra mes demokratëve.

Sali Berisha qëndroi në Foltore, ku po fliste për situatën në Kosovë dhe qëndrimin e kryeministrin Edi Rama, që sipas tij është antishqiptare dhe pro Vuçiç.

Nga vendi, fjalën e mori Lulzim Basha që kërkoi nga kryetarja Lindita Nikolla “të shqyrtojë vendimet e PD-së”, disa ditë pasi çoi shkresë në Kuvend për përjashtimin e 11 deputetëve që  prej kohësh janë reshtuar me Berishën.

Ndërkohë, demokratët iu drejtuan kryeparlamentares Lindita Nikolla me tone të larta. Në seancë ndërhyri Grada, ndërsa deputetët kundërshtuan duke thënë se “Foltorja është jona, jo e Gardës”. Disa minuta më pas, Nikolla kërkoi largimin e Gardës nga salla dhe vazhdimin e seancës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat