Bonusi i bebes, Kryemadhi: Nuk i stimulon çiftet e reja, i frikëson

Shqipëria

Bonusi i bebes, Kryemadhi: Nuk i stimulon çiftet e reja, i frikëson

Më: 5 tetor 2023 Në ora: 17:34
Monika Kryemadhi

Monika Kryemadhi tha gjatë fjalës së saj në parlament se është absurde që të vendosësh kuotën 400 mijë lekë për të motivuar çiftet e reja të bëhen me fëmijë.

Sipas saj, për fëmijët duhen përmirësuar sistemet arsimore, shëndetësore, ato të sigurisë dhe jo t’u jepet prindërve kjo shumë që në lindje, që më shumë i frikëson, se i stimulon për t’u trashëguar.

“Kur mendoj që procesi i riprodhimit, shtimi i rracës njerëzore ka të bëjë me dashurinë brenda një çifti, vlerat e familjes, ndërtimin e marrëdhënieve njerëzore që krijojmë të gjithë me njëri tjetrin. Që të stimulosh një çift që të bëhet me fëmijë për të marrë 400 mijë lekë, nuk është kjo, përkundrazi e frikëson atë më shumë. Që të stimulosh një çift që të bëhet me fëmijë duhet t’i krijosh sistemin e garancive të të jetuarit në një vend, ku fillon çerdhja, kopshti, shkolla, edukimi, shërbimi shëndetësor, siguria, garancia për t’u rritur, garancia për të pasur një edukim dhe një ambient të domosdoshëm, të paktën në parametrat që e kanë dhe vendet e tjera të rajonit,” – u shpreh Kryemadhi.

Bonusi i bebes, i cili shpërblen familjet pas lindjes së çdo fëmije, në mënyrë të përshkallëzuar nuk do të jepet më për emigrantët.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e konsideron këtë propozim për ndryshim në Ligjin për Asistencën sociale një domosdoshmëri, pasi analizat mbi përfitueshmërinë e programit tregojnë se shumica e përfituesve janë familjet e fëmijëve të lindur nga prindër shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, në një kohë kur primare është mbështetja e atyre që jetojnë në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat