Asnjë surprizë! Rrajat në gjyq për ‘plagosje të lehtë’ dhe ‘kanosje’ të dy kushërinjve Maja. Zbardhet dosja

Shqipëria

Asnjë surprizë! Rrajat në gjyq për ‘plagosje të lehtë’ dhe ‘kanosje’ të dy kushërinjve Maja. Zbardhet dosja

Më: 7 tetor 2023 Në ora: 11:36
Rrahja në Shqipëri

Asnjë surprizë! Përfundojnë hetimet për fisin Rraja, të cilët akuzohen për dhunën barbare ndaj dy kushërinjve, Bilbil e Jashar Maja, ngjarje kjo e ndodhur pak muaj më parë.

Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për BalkanWeb dosjen e prokurorisë, e cila mbylli hetimet dhe çoi në gjyq fisin Rraja. Prokurori Ylli Bashaj ka mbyllur hetimet në ngarkim të të pandehurve; Eni Kullaj, Andi Rraja, Ineidi Raja, Përparim Rraja, Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Rexhep Rraja, Klajdi Rraja e Edison Meta, të akuzuar për veprat penale të ‘Plagosje të lehtë me dashje’, ndaj viktimave Bilbil e Jashar Maja dhe ‘Kanosje’.

NGJARJA
Siç thuhet edhe në dosjen e prokurorisë, rreth orës 12 të datës 06.07.2023 shtetasi Bilbil Maja i shoqëruar edhe nga kushëriri i tij Jashar Maja, kanë qenë të ulur në një tavolinë në një lokal në Thumanë, kur kanë vënë re se aty u paraqitën shtetasit Xhelal dhe Flamur Raja, të cilët ishin të armatosur me nga një armë të llojit pistoletë. Kur janë afruar pranë tavolinës së tyre, në dosje sqarohet se Rrajat i kanë thënë Bilbilit që të shtrihej në dysheme. Në këto momente ky i fundit ka vënë re se, ne lokal kane hyrë edhe katër persona të tjerë, mes te cilëve, ai ka njohur personin që njihej me pseudonimin ‘Çaku’ dhe që është pronar i gurores, që ndodhet në zonën e tyre. Te katër personat kanë patur në duar shkopinj, qe përdoren për lojën e bejsbollit e me to kanë sulmuar Bilbilin duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit. Gjatë sulmit që është bërë prej tyre, ka fiksuar se, edhe shtetasi Flamur Rraja e ka goditur me pjesën e shulit të pistoletës, po ashtu edhe shtetasi Xhelal Rraja, e ka goditur me pjesën e fundit të pistoletës në trup.

“Nga sulmi i dhunshëm dhe goditjet e vazhdueshme shtetasi Bilibil Maja ka humbur ndjenjat dhe është përmendur vetëm kur ka qenë në spital, e ku ka mësuar nga personeli mjekësor se, kishte frakturë ne kokë. Pas disa minutash sulmi të dhunshëm, agresorët, që janë shtuar me kalimin e kohës, i kanë lënë se shtrirë të dëmtuarit dhe janë larguar me mjetet me të cilët kishin ardhur. Të dëmtuarit janë transportuar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe shtetasi Bilbil Maja ndodhet në situatë të rëndë shëndetësore.”, thuhet në dosjen hetimore.

EKSPERTIZA

Në dosjen e prokurorisë, sqarohet se nëpërmjet të dhënave dhe konkluzioneve të aktit të ekspertimit mjeko ligjor Nr. 1620 të datës 24.07.2023, mësohet se në trupin e shtetasit Jashar Maja u konstatua plagë në lëkurën e kokës si dhe shembje të indeve të buta të kokës dhe të trupit, dëmtime të shkaktuar me mjet të fortë mbrojtëse, që nuk kanë qenë të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit dhe si të tillë hyjnë në kategorinë e atyre dëmtimeve që kanë sjellë s’i pasojë humbje të aftësisë së përkohshme për punë, në masën mbi nëntë ditë.

“Ndërsa nëpërmjet të dhënave dhe konkluzioneve të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor 1621 të datës 24.07.2023, mësohet se, në trupin e shtetasit Bilbil Maja u konstatua thyerje e kockës frontale-parietale të anës së djathtë të kokës, pa dëmtime të indit trunor, plagë në lëkurën e kokës, thyerje e kockës ulnare të parakrahut të majtë si dhe shembje të indeve të buta të kokës dhe të trupit, dëmtime të shkaktuar me mjet të fortë mprehës, që nuk kanë qenë të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit dhe si të tillë hyjnë në kategorinë e atyre dëmtimeve, që kanë sjellë si pasojë humbje të aftësisë së përkohshme për punë, në masën mbi nëntë ditë.

Ndërsa nëpërmjet te dhënave dhe konkluzioneve të aktit të ekspertimit mjeko ligjor Nr 2017 të datës 18.09.2023, mësohet se, dëmtimet trupore të shtetasit Bilbil Maja, te shkaktuara në datën 06.07.2023, të përshkruara me hollësi në aktin e ekspertimit, janë shkaktuar me mjet te forte mprehëse, nuk janë te rrezikshme për jetën e te dëmtuarit ne momentin e shkaktimit, dhe si te tille janë në kategorinë e atyre dëmtimeve që kanë sjelle si pasojë humbje të aftësisë së përkohshme për pune, në masën mbi nëntë ditë. Përfundimisht dëmtimet e shtetasve Bilbil e Jashar, Maja janë konsideruar të tilla, që përkojnë me kriterin mjekësor të veprës penale të ‘Plagosje e lehte me dashje’ parashikuar nga neni 89 i K.Penal e ajo është kryer në bashkëpunim pavarësisht rolit dhe për fshirjes në dhunë të secilit prej pjesëmarrësve dhunues.”, thuhet në dosje.

ARSYETIMET E PROKURORISË PËR ZBUTJEN E AKUZËS
Ndërkohë, në dosjen e prokurorisë, të siguruar nga gazetarja Lala për BW, thuhet se “gjatë ngjarjes në fjalë shtetasit Flamur dhe Xhelal Rraja, duket se kane përdorur sende që nuk mund t’i konsiderosh si armë zjarri, vetëm për shkak të formës së tyre, te pasqyruar në pamjet e regjistruara apo te stampuara në pamjet fotografike. Sendet në fjalë, nuk janë gjetur në vendin e ngjarjes, apo edhe pas saj, e si objekte materiale, që në vetvete përmbajnë elemente të veprës penale velem në rastin kur konkludohet nga ekspertë të fushës se ata plotësojnë kushtet teknike të armëve të zjarrit. Në mungesë të tyre, nuk mund të vërtetohet fakti kriminal se ato, por edhe të tjerë, plotësojnë kushtet teknike të armëve të zjarrit, apo të ftohtë, por mungesa e një fakti të tille, nuk vë në dyshim bindjen e krijuar tek viktimat e veprave penale, se ato ishin arme të vërteta dhe janë përdorur për të goditur ata, por edhe ju janë drejtuar të dëmtuarve, duke i kanosur seriozisht ata.”, thuhet më tej në dosje.

PSE NISI KONFLIKTI
Ndër të tjera në dosjen e organit të akuzës thuhet se “shkak për ngjarjen e mësipërme është bërë një konflikt që ka filluar nga shfrytëzimi i gurores në pronësi të fisit Rraja dhe që punimet e kryera për nxjerrjen e materialit inert, nëpërmjet shpërthimeve me eksploziv janë bërë shqetësim për banorët e zonës. Për shkak të shqetësimeve të krijuara ata janë drejtuar institucione të ndryshme për të ndërhyrë në eliminimin e tyre, por nuk është arritur në zgjidhje të tillë. Veprimet e kryera në bashkëpunim, nga te gjithë personat nën hetim, te regjistruara e të pasqyruara në rrjetet sociale, kanë mbështetur qëllimin e tyre për t’u mbyllur gojën për çdo iniciativë denoncuese jo vetëm viktimave te veprave penale, Bilbil e Jashar Maja, por edhe banorëve të tjerë të zonës.”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat