“Pezullimi i granteve të IPARD, makutëri e qeverisë”, Basha: Fermerët po dalin me humbje, vuajnë nga mungesa e vëmendjes së shtetit

Shqipëria

“Pezullimi i granteve të IPARD, makutëri e qeverisë”, Basha: Fermerët po dalin me humbje, vuajnë nga mungesa e vëmendjes së shtetit

Më: 7 tetor 2023 Në ora: 12:07
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka ndalur turin e tij të takimeve në Dimal. Basha bisedoi me fermerët, të cilët po vuajnë pothuajse plotësisht mungesën e vëmendjes së qeverisë.

Fermerët i shprehen kreut të PD, shqetësimet e tyre, ndërsa Basha nga ana e tij tha se PD ka si prioritet të programit të saj luftën e pakompromis ndaj korrupsionit dhe fundi i pandëshkueshmërisë në nivelet e larta të politikës.

“Fermerët shqiptarë vazhdojnë të vuajnë nga mungesa e vëmendjes së qeverisë. Rritja e çmimeve dhe mungesa e mbështetjes i ka bërë ata të dalin me humbje dhe shpesh herë prodhimet e tyre të kalben.

Vendimi i Brukselit për pezullimin e granteve të programit IPARD tregon makutërinë e kësaj qeverie, që abuzon edhe me fondet e BE-së, duke lënë në mëshirë të fatit fermerët e ndershëm të këtij vendi, për të favorizuar klientët e zakonshëm që më këto fonde ndërtojnë restorante e vila në komplekset luksoze. Lufta e pakompromis ndaj korrupsionit dhe fundi i pandëshkueshmërisë në nivelet e larta të politikës, janë prioritete të Partisë Demokratike, arritja e të cilave garanton ndryshimin që shqiptarët presin, mbështetje për bujqësinë dhe zhvillim ekonomik”, tha Basha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat