Mungesa e fuqisë punëtore pritet të shtrenjtojë çmimet

Shqipëria

Mungesa e fuqisë punëtore pritet të shtrenjtojë çmimet

Më: 8 tetor 2023 Në ora: 08:29
Foto ilustrim

Hemorragjia e largimit masiv të shqiptarëve drejt vendeve europiane ka rritur ndjeshëm kostot te kompanitë prodhuese, nga shtimi i pagave.

Rritja e rrogave në sektorë të ndryshëm varion nga 70% deri në dyfishimin.

Por shtimi i kostove nga fuqia punëtore tashmë është reflektuar me rritje çmimesh te disa mallra dhe shërbime. Sektorë të tjerë siç janë prodhuesit e bukës paralajmërojnë se shtrenjtimi i çmimeve për produktet e brumit mbetet i pashmangshëm.

Erjon Harizi Kryetar i Bordit të Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë tha se në 4 vitet e fundit mungesa e fuqisë punëtore ka shtuar 40% kostot te kompanitë e ndërtimit.

Përveç kostove nga punëtoria, ndërtuesve do të ngarkohen me më tepër barrë fiskale për pagesat e taksës së ndikimit në infrastrukturë dhe taksës prej 3% të kontributit për srehimin social.

Për këto arsye Shoqata e Ndërtuesve më herët paralajmëroi që çmimet e banesave të reja do të rriten nga 150 deri 300 euro për metër katror.

Rritja e pagave për mobilierët nga 80,000 deri në nivelin e 120,000 lekëve në muaj, sipas një prej kompanive prodhuese të mobilieve “Trin Mobileri” ka rritur 25% koston e prodhimit.

Drejtuesi i kompanisë Dritan Cacaj tha se për këtë arsye çmimet e mobilieve janë shtrenjtuar 15%.

Ndërsa çmimet e lëndëve të para janë normalizuar duke iu rikthyer niveleve të para pandemisë COVID-19. Pavarësisht rritjes së çmimeve, kërkesa për mobilim mbetet e lartë.
Prodhuesit e bukës dhe brumërave pohojnë njëzëri se rreziku për daljen e tyre drejt tregut të lirë të furnizimit me energji elektrike, shtrenjtimi i miellit dhe përbërësve të tjerë të lëndëve të para, si dhe shtimi i kostos nga rritja e pagave për shkak të mungesës së punëtorëve, pritet të sjellë çmime më të larta të produkteve të brumit.

“Mendoj se buka do të shtrenjtohet për shkak të kostove të larta të prodhimit.

Krahasuar me rajonin dhe vendet e tjera fqinje siç është Italia, çmimi i bukës te ne shitet me çmim më të lirë”, pohuan nga furra e bukës “Xhorxh Bush Bakery”.

Edhe nga “Caka Group” thonë se shtrenjtimi për të gjitha llojet e bukës mbetet i pashmangshëm, për shkak të kostove të shtuara nga energjia, furnizimi me lëndë të para dhe mungesa e fuqisë punëtore.

Prej muajit mars 2022, çmimi i bukës masive vijon të jetë 100 lekë. Në periudhën 2021-2022, çmimi i bukës u rrit tre herë radhazi me një rritje totale prej 71%. Shtrenjtimi i parë nisi në muajin shtator të 2021, kur buka masive u rrit në 80 lekë, nga 70 lekë.

Rritja e çmimit 14% u ndikua nga shtrenjtimi i miellit të bukës nga 50 lekë në 55 lekë në gusht (rritja 10%). Në mesin e muajit mars 2022, çmimi i bukës shënoi sërish rritje prej 20%, duke arritur në 100 lekë për copë, për shkak të shtrenjtimit të miellit.

Në rrethet si Korça, Pogradeci, Gjirokastra apo Saranda, për shkak të shtrenjtimit të kostove të transportit të miellit nga karburanti, çmimi i bukës masive arriti në 120.

Por nga 1 prilli 2022, mungesa e fuqisë punëtore solli rritje tjetër të çmimit të bukës në vend. Rritja e çmimit të bukës masive me 20 lekë (20%) u reflektua në disa furra buke në qytetin e Beratit. Prodhuesit pohuan se janë të detyruar të rrisin çmimin, pasi kanë shtuar pagat e punonjësve.

Sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria është shteti me peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqime në raport me totalin.

Ky është tregues i nivelit të ulët të të ardhurave, që dikton plotësimin e nevojave bazë, përpara se të fillojë të mendojë për shpenzime më pak të domosdoshme e deri tek ato që nuk janë të domosdoshme, si p.sh argëtimi.

Të ardhurat mesatare për frymë të shqiptarëve janë sa 31% e mesatares së Bashkimit Europian, më e ulëta në Europë (pas nesh është Bosnjë-Hercegovina, me 32%).

Sipas tabelave të Eurostat, shpenzimet për ushqime dhe pije alkoolike zënë 38% të totalit për familjet shqiptare, në krahasim me 13% që është mesatarja e 27 vendeve të Bashkimit Europian dhe 30.6% që e ka shteti i dytë në listë pas nesh, Maqedonia e Veriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat