Përplasja Bardhi-Basha, Tabaku: Të mos e përdorim Kuvendin për të sulmuar njëri-tjetrin, të ndarë i bëjmë nder vetëm qeverisë

Shqipëria

Përplasja Bardhi-Basha, Tabaku: Të mos e përdorim Kuvendin për të sulmuar njëri-tjetrin, të ndarë i bëjmë nder vetëm qeverisë

Më: 9 tetor 2023 Në ora: 08:26
Deputetja demokrate, Jorida Tabaku

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku ka komentuar situatën e krijuar brenda Partisë Demokratike, ku në seancën e së enjtes pati një përplasje të ashpër mes Lulzim Bashës dhe Gazment Bardhit.

Teksa ishte e ftuar këtë fundjavë në një studio televizive, Tabaku theksoi se është distancuar nga këto beteja mes veti në sytë e publikut dhe këtë u ka kërkuar dhe deputetëve të tjerë, që në Kuvend të bëjnë opozitë.

“Ka kolegë të tjerë që jemi duke e bërë dhe njerëzit kanë nevojë që të dëgjojnë se ca ndodh sot me pensionet, me inflacionin, rritjen e çmimeve. Pati disa kolegë që bënë thirrjen, që e kam bërë dhe unë dhe u kërkoj kolegëve që të mos e përdorim foltoren për të sulmuar njëri tjetrin, por për të bërë opozitë”, deklaroi ajo.

Më tej, Tabaku theksoi se PD duhet të gjejë një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë, pasi sipas saj të ndarë i bëjnë nder vetëm qeverisë.

“Për mua ka një PD, kam qenë që 16 vjeç pjesë e kësaj partie, që në 2013 deputet dhe aty jam. Nëse nuk e kuptojnë që të fragmentarizuar dhe të ndarë i bëjmë nder vetëm qeverisë, ky është një shqetësim shumë i madh. E ardhmja e PD, duke ruajtur parimet, duke pasur angazhimin euroatlantik, PD duhet të gjejë mënyrën se si të dalë nga kjo situatë”, u shpreh ajo.

Ndërkohë Tabaku ka komentuar qëndrimin e qeverisë shqiptare për situatën e krijuar në veri të Kosovës.

“Nuk duhej të kishim debate për Kosovën, duhej të mblidheshim për të mbështetur parlamentin e Kosovës. Patëm debate edhe në Konferencën e Kryetarëve edhe në Kuvend më shumë për procedurë, ende nuk jemi ulur ta diskutojmë përmbajtjen e rezolutës. Kosova është e interesuar ta ketë Shqipërinë në krah. Do ti kishim bërë nder Kosovën nëse s’do kishim debatuar por të kishim rënë dakord për ta mbështetur me një rezolutë që ka një qëndrim të njëjtë me atë të Kuvendit të Kosovës”, nënvizoi deputetja Tabaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat