Komunikim intensiv me biznesin për ligjin e tatimit mbi të ardhurat, ministri Mete takim me Drejtorin e Tatimeve

Shqipëria

Komunikim intensiv me biznesin për ligjin e tatimit mbi të ardhurat, ministri Mete takim me Drejtorin e Tatimeve

Më: 10 tetor 2023 Në ora: 13:59
Foto nga vendi i ngjarjes

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete mori pjesë në nisjen e aktiviteteve trajnuese për administratën tatimore mbi ligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat”.

Të pranishëm në eventin e sotëm ishte dhe Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vjero dhe Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ceno Klosi.

Në fjalën e tij, Ministri i Financave dhe Ekonomisë vlerësoi rëndësinë e kuptimit të drejtë të legjislacionit nga ana e administratës tatimore, në mënyrë që ajo të jetë një këshilluese sa më e mirë për biznesin gjatë zbatimit të tij.

Ministri tha se administrata tatimore është partnere me biznesin dhe në këtë kuptim duhet të vendoset theksi në njohjen e legjislacionit sidomos nga shërbimi i tatimpaguesit.

“Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” është një akt i mirë dhe modernizues në kuadrin e tatimit mbi të ardhurat në Republikën e Shqipërisë. Për këtë ligj është punuar gjatë, së bashku edhe me FMN. Është finalizuar një VKM dhe janë drejt finalizimit edhe VKM-të e tjera që plotësojnë të gjithë kuadrin rregullator. Është e domosdoshme që ju të keni kuptueshmëri sa më të plotë, në mënyrë që këtë lloj kuptueshmërie ta përktheni në zbatim të drejtë të ligjit, por edhe në këshillim sa më të plotë dhe sa më të drejtë të tatimpaguesve”, u shpreh  Mete.

Objektivi kryesor i trajnimeve që do të zhvillohen nga Qendra e Trajnimit të Administratës Tatimore dhe Doganore (QTATD), me mbështetjen e MFE dhe DPT, është informimi dhe trajnimi i Administratës Tatimore sa i përket dispozitave të ligjit të ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, një pjesë e të cilave do të nisin të zbatohen nga data 1 janar e vitit 2024.

Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë në mars të vitit 2023. Përmes zbatimit të tij synohet reformimi i sistemit tatimor dhe përafrimi i mëtejshëm i legjislacionit me Direktivat e BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat