Hasani: Kurdo që të jetë nevoja, do të përcjellim në Këshillin e të Drejtave të Njeriut edhe zërin e Kosovës

Shqipëria

Hasani: Kurdo që të jetë nevoja, do të përcjellim në Këshillin e të Drejtave të Njeriut edhe zërin e Kosovës

Më: 12 tetor 2023 Në ora: 13:02
Ministri i Jashtëm, Igli Hasani

Ministri i Jashtëm, Igli Hasni duke folur gjatë seancës në Kuvend që po mbahet për miratimin e rezolutës ndaj sulmit në Banjskë të Zveçanit theksoi se mbështetja e Shqipërisë për të zgjeruar gjeografinë e njohjes së Kosovës si dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare, është një prioritet absolut.

Ai theksoi se javën e ardhshme do të organizojnë në Nju Jork një takim të Këshillit të Sigurimit kushtuar pandëshkueshmërisë së krimeve gjatë konfliktit, teksa shtoi se përfaqësues nga Kosova do të kenë mundësi të flasin për krimet barbare të regjimit të Milosheviçit ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“Dy ditë më parë, Shqipëria u zgjodh në Këshillin e të Drejtave të Njeriut, me një rezultat mbresëlënës duke i prerë rrugën kandidaturës së Rusisë, duke materializuar kështu, me një punë të shkëlqyer, jo vetëm një synim tjetër madhor në ndërveprimin tonë ndërkombëtar por edhe duke mbrojtur njëkohësisht në sytë e opinionit publik mbarë-botëror edhe besueshmërinë e OKB-së dhe atë të Këshillit të të Drejtave të Njeriut njëkohësisht. Kurdo që të ketë nevojë, në do të përcjellim atje edhe zërin e Kosovës.   Javën e ardhshme, ne do të organizojmë në Nju Jork, një takim të formatit Arria të Këshillit të Sigurimit kushtuar pandëshkueshmërisë së krimeve gjatë konfliktit. Përfaqësues të lartë nga Kosova do të ketë mundësinë të ndajnë me mbarë botën, në forumin më të lartë ndërkombëtar, jo vetëm eksperiencën e dhimbshme të grave e vajzave kosovare, viktima të sulmeve barbare të ushtrisë së Miloshevicit por edhe domosdoshmërinë për të bërë çmos për të vënë autorët para drejtësisë. “, theksoi ai.

Hasani shtoi se sulmi në veri në fund të shtatorit ishte një këmbanë alarmi.

“Është një gjest që shkon në drejtim të kundërt me përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar, BE-së, NATO-s dhe SHBA-ve, në Kosovë dhe rajon. Shkon ndesh edhe me deklarimet e vetë Serbisë për gatishmërinë për marrëveshje e zgjidhje përfundimtare e afatgjatë. Kur fjalët nuk përkojnë me veprat ka një problem, e në këtë rast, ka një problem serioz. Shqipëria nuk do të mbështesë asnjëherë dhe do të kundërshtojë prerazi dhe me forcë çdo veprim që i fryn zjarrit të konfliktit.

Po ashtu, çdo përpjekje e Serbisë apo e kujtdo tjetër për ta relativizuar atë që ndodhi në 24 shtator, duke gërmuar çdo ngut për ngjarje pa lidhje nga historia e dhimbshme e rajonit, për të vënë shenjën e barazimit mes një sulmi kriminal kundër institucioneve të një shteti demokratik e ku sundon e drejta e ligjit me përpjekjet e popullit të Kosovës për t’u çliruar nga zgjedhja kriminale e Milosheviçit, përveçse e padrejtë, është e kotë dhe do të mbetet e dështuar. Ky nuk është vetëm mendimi ynë.”, theksoi Hasani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat