Malësi e Madhe, plagosën një të ri afgan, shoqërohen në polici 8 persona

Shqipëria

Malësi e Madhe, plagosën një të ri afgan, shoqërohen në polici 8 persona

Më: 15 tetor 2023 Në ora: 13:01
Foto ilustrim

8 persona u shoqëruan në policinë e Shkodrës, pas plagosjes së një të riu afgan. Një ngjarje e regjistruar pasditen e së shtunës në Malësi të Madhe.

4 shtetasit nga Afganistani që po udhëtonin ilegalisht drejt kufirit të gjelbër, për të kaluar në Mal të Zi, janë sulmuar nga një grup personash shqiptar në afërsi të shinave të trenit në fshatin Fermë.

Nga ky konflikt mbeti i plagosur 17-vjeçari me inicialet A. Z, i cili ka marrë një plumb në këmbë. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa 3 shtetasit e tjerë u shoqëruan në mjediset e policisë, ku u morën në pyetje lidhur me këtë ngjarje.

Për shkak të faktit se ata nuk flisnin anglisht, komunikimi ka qenë i vështirë dhe vetëm pas gjetjes së një përkthyesi, grupi hetimor ka mundur të marrë dëshminë e tyre, ku kanë theksuar se janë sulmuar nga një grup shqiptarësh.

“Jemi nisur drejt Malit të Zi dhe më pas me destinacion një nga vendet e Bashkimit Europian. Duke qenë se nuk dinim rrugën, udhëtimi është marrë përsipër nga një grup shqiptarësh” - kanë deklaruar ato.

Por, duket se mungesa e komunikimit të rregullt mes tyre lidhur me pagesën, është bërë burim konflikti, që ka sjellë më pas sulmin.

Duhet theksuar se kalimet ilegale nga Shqipëria drejt Malit të Zi, përmes kufirit të gjelbërt apo ujërave të liqenit të Shkodrës, janë një fenomen shqetësues i viteve të fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat