Tregu i sigurimeve/ Mete: Rajoni, i ekspozuar ndaj katastrofave natyrore dhe ndryshimeve klimatike

Shqipëria

Tregu i sigurimeve/ Mete: Rajoni, i ekspozuar ndaj katastrofave natyrore dhe ndryshimeve klimatike

Më: 18 tetor 2023 Në ora: 12:57
Ervin Mete

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, tha sot në konferencën për tregun e sigurimeve, se i gjithë rajoni është i ekspozuar ndaj katastrofave natyrore dhe ndryshimeve të klimës.

Sigurimi nga katastrofat dhe sigurimi në bujqësi janë në vëmendje të rregullatorëve rajonalë, por edhe atyre ndërkombëtarë.

Shqipëria u përball në vitin 2019 me një tërmet me pasoja të rënda, me efekte shkatërrimtare dhe humbje jete. Dëmet e shkaktuara u vlerësuan në rreth 1.1 miliardë euro, ose 7.5% e PBB-së. Nga këto, shoqëritë e sigurimit paguan rreth 40 milionë euro dëme për qytetarët dhe bizneset e dëmtuara.

Ndërsa për pjesën tjetër, nga viti 2020 deri aktualisht, nga buxheti i shtetit janë shpenzuar afro 890 milionë euro, për procesin e rindërtimit dhe për pagesat e bonusit të qerasë. Tërmeti nxori në pah një tjetër aspekt, që sigurimi vullnetar i banesave është në nivele shumë të ulëta dhe në pjesën më të madhe i diktuar nga bankat për kreditë hipotekore.

Nisur nga sa më sipër, vlerësohet i domosdoshëm përcaktimi i mekanizmave të mbrojtjes dhe transferimit të rrezikut. Ndaj, me mbështetjen e Bankës Botërore, po shqyrtojmë opsionet më të mira për zhvillimin e një programi kombëtar për sigurimin nga tërmetet.

Kjo konferencë do të diskutojë më në detaje për këtë temë, por është e rëndësishme që ky sigurim të jetë me kosto të përballueshme për qytetarët dhe të bazohet në standardet më të mira të menaxhimit të rrezikut.

Po ashtu, bujqësia është një nga sektorët e rëndësishëm të ekonomisë sonë, që rezulton në masë të madhe e ekspozuar ndaj ndryshimit të kushteve klimatike.

Sigurimi i bujqësisë mund të ishte një mjet i rëndësishëm i menaxhimit të rrezikut që ndihmon fermerët të mbrohen nga humbjet financiare për shkak të fatkeqësive natyrore dhe kushteve klimatike.

Ky sigurim është pak i zhvilluar në Shqipëri, ndaj ndarja e eksperiencave më të mira në këtë drejtim do të ishte e dobishme për një avancim sa më të mirëmenduar”, tha Mete.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat