Zgjatet sezoni turistik në Shqipëri, INSTAT: Nga janari gati 8.3 milionë shtetas të huaj

Shqipëria

Zgjatet sezoni turistik në Shqipëri, INSTAT: Nga janari gati 8.3 milionë shtetas të huaj

Më: 25 tetor 2023 Në ora: 12:41
Foto ilustrim

Favorizuar nga moti me diell, zgjatja e sezonit turistik përtej muajve tradicionalë të verës shtoi fluksin e vizitorëve të huaj në vendin tonë edhe në muajin shtator.

Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se në shtator, në vend hynë 1.1 milionë shtetas të huaj, me një rritje prej 45% në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë.

Ky është niveli më i lartë i hyrjeve të të huajve të regjistruar ndonjëherë në këtë muaj.

Edhe për periudhën janar-shtator, shifrat tregojnë një rekord historik. Në vend kanë hyrë gjithsej 8.3 milionë shtetas të huaj, që është një shifër 29% më e lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Sipas njoftimit të INSTAT, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin shtator 2023, janë 1.651.151. Ky tregues rezulton me një rritje 36,6%, krahasuar me shtator 2022.

Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit shtator 2023, janë 1.714.585, duke shënuar një rritje me 25,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në shtator 2023, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 546.961. Ky numër është rritur me 22,3%, krahasuar me shtator 2022.

Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1.104.190. Ky numër është rritur me 45,0%, krahasuar me shtator 2022, raporton ATSh, transmeton KosovaPress.

Gjatë 9-mujorit 2023, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 8.294.600. Ky numër është rritur me 29,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat