Investimet 2024, 1.5 mld lekë më shumë për ujësjellësit, buxheti shkon në 8 milionë euro

Shqipëria

Investimet 2024, 1.5 mld lekë më shumë për ujësjellësit, buxheti shkon në 8 milionë euro

Më: 3 nëntor 2023 Në ora: 08:34
Foto ilustrim

Mbështetja buxhetore për sektorin e ujësjellës – kanalizimeve do të pësojë rritje gjatë vitit që vjen. Sipas projektbuxhetit 2024, investimet publike me financim të brendshëm për këtë sektor parashikohen në 8.8 mld lekë ose diku tek 8 milionë euro, nga 7.3 mld lekë që ishte gjatë vitit 2023. Ndërkohë që, lista e projekteve që do mbështeten përfshin një sërë investimesh të reja që do të kryhen nga shoqëritë rajonale, që u krijuan pas reformës në sektor. Paralelisht, është edhe Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizime, që gjithashtu do të menaxhojë një pjesë të projekteve që parashikohet të nisin gjatë vitit 2024.

Investimet e reja kapin një vlerë totale prej rreth 1 mld lekësh, ndërkohë që pjesa tjerë janë financim për projekte që tashmë kanë nisur. Sa i takon disa prej projekteve që do të marrin më shumë financim, në krye të listës është furnizimi me ujë i zonave bregdetare, që janë zona të investimit strategjik e më konkretisht Draleos, Drimadhes dhe Dhërmi, me 267.6 mln lekë.

Pas tij vjen rikonstruksioni i magjistralit kryesor dhe rrjetit të brendshëm të ujësjellësit të qytetit Patos, me 226.7 mln lekë. Një nga projektet më të financuar është edhe ujësjellësi i zonës së ujit të ftohtë, lungomares dhe shkolla e Marinës në Vlorë, me 209 mln lekë. Ndërkaq, sa i takon projekteve me financim të huaj, ato kapin vlerën e 2.2 mld lekëve, 678 mln prej të cilave janë grant dhe pjesa tjetër kredi.

Sipas relacionit që shoqëron projektbuxhetin në Kuvend, me investimet në sektor synohet reduktimi i humbjeve në rrjet në nivel kombëtar në masën 57% në vitin 2026 nga 63% që parashikohet në vitin 2023, ndërkohë që orët mesatare të furnizimit me ujë të pijshëm synohet të rriten në 19 orë/ditë në vitin 2026 nga 16 orë/ditë në vitin 2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat