Arrestimi i zyrtarëve të lartë nga SPAK, Rama i kthehet opozitës: Drejtësia kapet që mos të të kapin askënd, PS s’ka dalë huq ndonjëherë

Shqipëria

Arrestimi i zyrtarëve të lartë nga SPAK, Rama i kthehet opozitës: Drejtësia kapet që mos të të kapin askënd, PS s’ka dalë huq ndonjëherë

Më: 3 nëntor 2023 Në ora: 19:31
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave të opozitës, ku sipas tyre qeveria ka kapur drejtësinë.

Nga Asambleja e Zgjeruar e Partisë Socialiste, Rama tha se ‘një forcë, një qeveri, një kryeministër që do të kapë drejtësinë, e kap që të mos i kapin askënd’.

Nisur nga kjo aksiomë, Rama implikon se akuzat e opozitës mbi qeverinë aktuale dhe Partinë Socialiste janë të pavërteta, pasi drejtësia këto kohë ka goditur vetëm majtas.

“Nuk ka asnjë forcë tjetër politike në Shqipëri. Nuk ka pasur, nuk ka dhe më besoni nuk do të ketë për një periudhë të caktuar kohe. Ky është kapaciteti shtetbërës. Po thosha që Partia Socialiste mund të ketë bërë edhe gabime të mëdha në momente të caktuara, jo në kohën time, por në asnjë rast nuk mund t’i thuash që për shkakun tënd si parti, Shqipërisë i ndodhi një shkatërrim.

Në asnjë rast. Doni t’ja numërojmë shkatërrimet partisë tjetër, nuk ma ha mendja se ja vlen t’ju humbas kohë. PS mund ta ketë gjuajtur topin jashtë, por huq nuk ka dalë ndonjëherë.

Doni t’ua them se sa herë kanë dalë huq të tjerët dhe sa herë dalin huq? Dhe kur dalin huq thonë: ‘Ne e bëmë golin, por nuk na e quajtën’.

Nuk është Amerika që bëri Reformën në Drejtësi. Është Partia Socialiste që bëri Reformën në Drejtësi dhe sigurisht gjeti dhe pati për këtë reformë një mbështetje të madhe të aleatëve strategjik. A bëhej dot reforma pa mbështetjen e tyre? Jo nuk bëhej dhe kjo është e vërteta.

Por tjetër është ta udhëheqësh reformën dhe tjetër është ta mbështesësh reformën. Dhe për ta udhëhequr një reformë në një vend duhet që vendi të ketë një forcë udhëheqëse. S’ka ndodhur ndonjëherë në histori që të vijë një vend dhe të bëjë udhëheqësin në Shqipëri. Për mbështetje, natyrisht.

Në këtë rastin tonë ishte shumë e rëndësishme sepse sado të zot që të jemi do e kishim të pamundur të sillnim në sallën e Kuvendit të gjithë ata Kreshnikët që do i shpallnin luftë Amerikës, por nuk do të votonin Reformën në Drejtësi. Mbanin dorën lart me kartonin jeshil, por mbanin kokën poshtë sikur u ishin ujitur pak pantallonat.

Po kaq e pavërtetë është edhe tjetra, kur thonë se e kemi kapur ne drejtësinë. E kam kapur unë drejtësinë? Kjo nuk ia vlen të japësh një shpjegim sepse është e qartë. Një forcë, një qeveri, një kryeministër që do të kapë drejtësinë, për çfarë do ta kapi? Që të mos i kapin askënd. Sepse që ta kapësh drejtësinë dhe të të kapin ata që duhen kapur, kjo nuk është kapje e drejtësisë.

Kështu, o ke brenda vetes vesin ose vizionin dritëshkurtër që ti të rrish në karrige dhe t’i kapësh të gjitha për të ndenjur sa më gjatë në karrige, ose kohën që ti je ulur në karrigen që të kanë dhënë të tjerët dhe fuqinë e saj ta vesh në dispozicion për të bërë gjëra që mbeten për të gjithë. Dhe kjo Reformë në Drejtësi që po ndodhë ka filluar sot, por do të mbetet në vijimësi sepse është e pakthyeshme. Nuk kthehet pas. Natyrisht që jo të gjitha gjërat janë perfekt, por kjo është rruga. Është një rrugë ku nuk je vetëm. Ka pengesa, ka të papritura, ka ngjarje, ka forca, ka rrëzime, ka ringritje, ka të tatëpjeta, ka të përpjeta dhe e njëjta gjë vlen edhe për drejtësinë. Ajo që ne duhet të bëjmë, është të forcojmë kapacitetet e brendshme të pushtetit ekzekutiv për të kontrolluar shumë më tepër dhe shumë më në qelizë veprimtarinë e pushtetit ekzekutiv, në mënyrë që goditja e të keqes dhe në këtë rast e korrupsionit të mos jetë e drejtë ekskluzive e SPAK-ut”, tha Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat