Studimi për kancerin kolorektal/ ISHP: Nga 2015 deri në 2021 rastet në rritje

Shqipëria

Studimi për kancerin kolorektal/ ISHP: Nga 2015 deri në 2021 rastet në rritje

Më: 9 nëntor 2023 Në ora: 16:29
Foto ilustrim

Kanceri i zorrës së trashë, i quajtur ndryshe kanceri kolorektal,  ka ardhur duke e rritur numrin e  rasteve të pacienteve që prek.

Specialistët e Institutit të shëndetit publik kanë marrë në analizë situatën e përhapjes së kësaj sëmundjeje nga viti 2015 deri në vitin 2021.

Të dhënat tregojnë se incidenca e këtij kanceri është rritur nga 6,6 raste për 100 mijë banorë në 2015 në 10,9 raste në 2021.

Konkretisht numrin më të lartë të rasteve e hasim në vitin 2017 me 430 raste dhe në vitin 2021 me 492 raste, ku haset edhe incidenca më e lartë në 10 vitet e fundit.

Risku për t’u diagnostikuar me kancer të zorrës së trashë rritet me moshën.

Ekspertët bëjnë me dije se kjo rritje është sidomos e shpejtë mbi moshën 50 vjeç për të arritur kulmin në të 60-at.

Prirja e rritjes së riskut ngadalësohet mbi 70 vjeç.

Shumica dërrmuese e rasteve rreth 85% diagnostikohen mbi moshat 50 vjeç dhe nuk ka ndonjë prirje për rritje të rasteve mes grup-moshave më të reja.

Sa I takon shpërndarjes gjeografike vërejmë se incidenca rezulton të jetë mesatarisht më e lartë në qarqet e Vlorës dhe Beratit. Qarqe me nivel të incidencës më të lartë se mesatarja e vendit janë edhe Kukësi, Korça, Gjirokastra e Dibra.

Tirana, Fieri e Durrësi kanë incidencë krahasimisht të ulët, por megjithatë, totali i rasteve të reja në popullatën e qarkut Tiranë përbën rreth një të tretën e totalit të rasteve të raportuara gjatë kësaj periudhe nga gjithë vendi.

Kanceret e zorrës së trashë përbëjnë 6%-7% të totalit të rasteve të reja të diagnostikuara në vit, ndërsa sa i takon vdekshmërinë ato përbëjnë 6.2% ndaj totalit të fataliteteve të shkaktuara nga tumoret.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat