Shqipëri, për herë të parë dhurimi i gjakut bëhet plotësisht nga dhuruesit vullnetarë

Shqipëria

Shqipëri, për herë të parë dhurimi i gjakut bëhet plotësisht nga dhuruesit vullnetarë

Më: 9 nëntor 2023 Në ora: 16:33
Dhurimi i gjakut

Gjatë konferencës “Dhurimi i gjakut, akt solidariteti njerëzor”, mbajtur në Universitetin e Shkodrës, drejtoresha e Qendrës Kombëtarë të Transfuzionit të Gjakut, doktoreshë Irena Qendro, bëri të ditur se Shqipëria, në nivel kombëtar, për herë të parë, në vitin 2023, ka arritur që, dhurimi i gjakut të kryhet plotësisht nga dhuruesit vullnetarë dhe familjarë, duke shmangur kështu dhurimet me pagesë.

“Intensifikimi i promocionit të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, për të patur sa më shumë dhurues vullnetarë dhe falas të gjakut, ka bërë të mundur që në vitin 2023, për herë të parë në vendin tonë, ne të mos kemi më, në nivel kombëtar, dhurues me pagesë, por të kemi vetëm dhurues vullnetarë dhe dhurues familjarë të gjakut”, tha ajo.

Vitet e fundit ka ardhur duke u rritur kërkesa e sistemit shëndetësor për gjak, kjo për shkak të rritjes së numrit të aksidenteve në rrugë, operacioneve, por edhe një numri të lartë prej rreth 600 të sëmurëve talasemikë, të cilët kanë nevoja të vazhdueshme për transfuzion të gjakut.

Ndërkohë, vetëm gjatë nëntë muajve të këtij viti në Shqipëri janë regjistruar 863 aksidente rrugore me 139 viktima dhe 1050 të plagosur që kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Doktoreshë Qendro thotë se, “llogaritet që, një vend si Shqipëria të jetë i mjaftueshëm vetëm në gjak dhe jo në komponentët e tjerë të gjakut, ne duhet të kemi rreth 15 dhurime për 1000 banorë. Ne, aktualisht jemi në nivelin e 12 dhurimeve për 1000 banorë, por jemi vazhdimisht në një situatë kur dhurimet tona rriten në mënyrë të vazhdueshme, kështu që jemi shumë afër objektivit tonë për mjaftueshmëri”.

Doktoreshë Irena Qendro thotë se vetëm Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut gjatë këtij viti ka mbledhur 600 dhurues vullnetarë të gjakut më shumë se një vit më parë.

Por, në fushatën ndërgjegjësuese për dhurimin e gjakut janë përfshirë prej vitesh edhe Kryqi i Kuq Shqiptar si dhe Organizata Shqiptare e Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut.

Drejtuesi i kësaj organizate, Natale Capodicasa, një italian që jeton në Shqipëri, thotë se Shqipëria ka kërkesa për më shumë gjak se sa arrihet nga dhuruesit vullnetarë.

“Në qendrën e grumbullimit të gjakut jemi shumë partnerë. Aktualisht jemi në rreth 1000 dhurime në ditë dhe shumica janë studentë. Kemi nevojë akoma, sepse gjaku nuk mjafton dhe ka shumë kërkesa për gjakun. Kemi arritur deri tani mirë, por duhet edhe më shumë”, thotë Natale Capodicasa.

Pjesëmarrësit në konferencën “Dhurimi i gjakut, akt solidariteti njerëzor” apeluan për një ndërgjegjësim më të madh të popullatës për dhurimin vullnetar të gjakut,

pasi nevojat e sistemit shëndetësor rriten vazhdimisht për shkak të fatkeqësive natyrore, sëmundjeve dhe veçanërisht aksidenteve në rrugë.

Sipas shefit të departamentit të lëndëve klinike në Universitetin e Shkodrës, Emiljano Pjetrit, rol të rëndësishëm në procesin e dhurimit të gjakut dhe trajtimit të tij kanë ekipet e infermierëve.

“Infermierët e kanë protokoll të jetës së tyre profesionale dhe mision të jetës së tyre jo vetëm përkujdesjen, por edhe aktin e dhurimit të gjakut. Prandaj, çdo qytetar duhet ta dinë se në momentin që kanë nevojë për gjak nuk shkojnë në farmaci, sepse nuk tregtohet gjaku, gjaku vetëm dhurohet. Prandaj i bëj thirrje çdo qytetari të dhurojë gjak, sepse një ditë mund të keni nevojë për atë qese gjaku që e keni dhuruar kur keni qenë të shëndetshëm”, thotë ai./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat