Tymuese e shpërthime me shashka në Kuvend, policia referon në SPAK deputetët e Berishës dhe Bardhit

Shqipëria

Tymuese e shpërthime me shashka në Kuvend, policia referon në SPAK deputetët e Berishës dhe Bardhit

Më: 8 dhjetor 2023 Në ora: 11:07
Foto ilustrim

Policia ka referuar në Prokurorinë e Posaçme deputetët e Berishës dhe Bardhit pas kaosit në Kuvend gjatë seancës së të enjtes (7 Dhjetor) ku PS miratoi buxhetin në 7 minuta mes tymueseve dhe shpërthimeve me sharkave të hedhur nga ligjvënësit opozitarë.  

Por, ndryshe nga data 4 dhjetor referimi i materialeve në SPAK nga komisariati nr.1 nuk është bërë me emra konkretë.

Materiali është referuar për grupin parlamentar të opozitës ditën e djeshme pas seancës parlamentare, raporton gazetari Ilgi Çelmeta.

Më datë 4 dhjetor, komisariati nr.1 krahas marerialeve të tjera hetimore referoi në SPAK edhe emrin e deputetëve Flamur Noka dhe Albana Vokshi.

Çfarë ndodhi gjatë seancës 

Parlamenti miratoi dje mes tymueseve dhe kapsollave buxhetin dhe paketën fiskale nen për nen dhe në tërësi.

Seanca zgjati 7 minuta dhe për shkak të protestës së opozitës, buxheti kaloi pa diskutime. Të vetmit që dolën kundër protestës së opozitës dhe morën pjesë në votim ishin 4 deputetët që njohin kryetar Lulzim Bashën. Flutura Açka, Merita Bakiu, Andia Ulliri dhe Selaudin Jakupllari votuan kundër buxhetit.

Në kushtet kur Sali Berisha, Gazment Bardhi e Flamur Noka mungonin në seancë për shkak se janë përjashtuar, protesta e opozitës u udhëhoq nga deputetët Ervin Salianji, Nallbati e Dogjani. Këtë të fundit e përjashtoi nga seanca kryeparlamentarja Lindita Nikolla. Vendimi erdhi me pretendimin se Asllan Dogjani hodhi tymuese në Kuvend gjatë seancës.

Por pavarësisht kaosit, flakës e tymit të krijuar nga flakadanët, karrigeve të vendosur si barrikadë në mesin e sallës, goditjeve të tavolinave me grushte, socialistët ngritën kartonët jeshil dhe miratuan paketën fiskale dhe buxhetin e 2024 pa asnjë diskutim, ndërsa rrëzuan amendimet e bëra nga demokrati Bujar Leskaj.

Përplasja mes Gardës dhe deputetëve demokratë që nuk kishin në gjirin e tyre seancën e djeshme as kryedemokratin Berisha, as kreun e grupit Bardhi, si dhe 4 deputetë të tjerë të përjashtuar për 10 ditë, nisi që në hyrje të Parlamentin dhe u zhvillua dhe përpara nisjes zyrtare të seancës.

Pas përfundimit të seancës, përfaqësuese të Byrosë së Hetimit dhe Komisariatit Nr. 1 e kanë kthyer sallën e seancave në një skenë krimi, duke kërkuar për prova që i vesh deputetët e opozitës me përgjegjësi penale, siç deklaroi të hënën ministri i Brendshëm, i cili kujtoi se shkatërrimi ose dëmtimi me dashje i pronës me zjarr dhe me mjete të tjera, dënohen deri në 5 vite burg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat