Flet polici në Laç: Si më prenë rrugën dy persona të maskuar. Policia thotë se s’ka gjetur gëzhoja

Shqipëria

Flet polici në Laç: Si më prenë rrugën dy persona të maskuar. Policia thotë se s’ka gjetur gëzhoja

Më: 12 dhjetor 2023 Në ora: 10:59
Foto ilustrim

Efektivi i forcave “Shqiponja” ka dëshmuar para uniformave blu, lidhur me të shtënat me armë zjarri në Kurbin, në të cilat raportohet se është i përfshirë. 22-vjeçari mësohet të ketë thënë se dy persona i prenë rrugën duke i bërë pritë dhe qëlluan me armë zjarri në ajër.

Më tej, ai dëshmon se është kundërpërgjigjur në të njëtën formë. Lidhur me identitetin e dy persona që i prenë rrugën efektivit të “Shqiponjave” nuk bëhen ende të ditura detaje, teksa vetë ai ka deklaruar se autorët ishin të maskuar.

Megjithatë, policia po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe faktimin e vërtetësisë së dëshmisë të dhënë nga 22-vjeçari.

Vetë policia konfirmon se në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur gëzhoja që mund t’i përkasin autorëve të pretenduar duke shtuar dyshimet mbi këtë ngjarje.

“Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, si dhe është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po punon intensivisht, në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, për të fiksuar çdo provë qe do të çojë në sqarimin e rrethanave dhe të mekanizmit të ngjarjes, si dhe në zbardhjen e së vërtetës mbi këtë rast“, njofton policia.

Njoftimi zyrtar i policisë:

Rreth orës 21:00, të mbrëmjes së kaluar, punonjësi i Policisë, shtetasi Dh. M., 23 vjeç, banues në Laç, me detyrë inspektor i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Lezhë, ka kallëzuar se sapo ka dalë nga banesa, për në punë, me automjet privat, ka parë në rrugë, në vendin e quajtur “Rruga e Sanxhakut”, 2 shtetas të armatosur, të cilët sipas dëshmisë së 23-vjeçarit, sapo e kanë parë atë, kanë qëlluar me armë zjarri, në ajër.

Në një situatë të tillë, punonjësi i Policisë është kundërpërgjigjur, duke qëlluar nga brenda automjetit të tij, me armën e shërbimit.

Nga të shtënat nuk është dëmtuar asnjë shtetas.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, si dhe është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po punon intensivisht, në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, për të fiksuar çdo provë qe do të çojë në sqarimin e rrethanave dhe të mekanizmit të ngjarjes, si dhe në zbardhjen e së vërtetës mbi këtë rast.

Aktualisht, nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se është dëmtuar automjeti i punonjësit të Policisë, nga qitjet me armë zjarri të kryera nga vetë punonjësi, nga brenda automjetit. Në vendngjarje nuk konstatohen gëzhoja, gjurmë apo prova të tjera materiale që mund t’iu përkasin shtetasve të kallëzuar nga punonjësi i Policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat