Pensionistët me llogari bankare, nga viti i ardhshëm do marin shërbimet pa kosto

Shqipëria

Pensionistët me llogari bankare, nga viti i ardhshëm do marin shërbimet pa kosto

Më: 13 dhjetor 2023 Në ora: 12:38
Foto ilustrim

Nga viti i ardhshëm të gjithë pensionistët dhe shtresat vulnerabël do të pajisen me një llogari bankare, e cila do të jetë pa kosto. Komisioni i ekonomisë miratoi ligjin, për llogarinë e pagesave për shërbimet bazike. E thënë ndryshe bankat e nivelit të dytë do të jenë të detyruara të hapin me kërkesën e klientit një llogari bankare pa komision, me zero kosto do të jenë edhe disa shërbime të tjera.

Është parashikuar që tarifa të jetë zero për kryerjen e shërbimeve të cilësuara si bazike, të cilat janë hapja e llogarisë, mbyllja e llogarisë, tërheqja e fondeve përmes bankomateve, kryerja e pagesave, si edhe transfertave brenda vendit, për një sërë kategorish vulnerabël, shtresa në nevojë, të cilët janë: përfituesit e pagesës së papunësisë; familjet dhe individët, të cilët trajtohen me ndihmë ekonomike; përfituesit e pagesës së aftësisë së kufizuar dhe ndihmësit personal të tyre; individët përfitues të statusit të invalidit dhe ndihmësit personal të tyre; individët përfitues të statusit të të verbrit dhe ndihmësit personal të tyre; invalidët e punës.

Sipas Bankës së Shqipërisë, vendi ynë ka një potencial të madh për të përfshirë këtë shtresë të popullsisë në shërbimet financiare.

“Numri i përfituesve ne mendojmë se do të arrijë në 700 mijë. 640  mijë janë vetëm pensionistë, pjesa tjetër janë familje me ndihmë ekonomin, me pagesë invaliditeti  etj. Sigurisht jo të gjithë mund ta hapin, por potenciali është  i madh”, tha Deniz Derralla, drejtori i mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë.

Në Shqipëri numërohen 1.4 milion karta bankare. Nga të cilat vetëm 113 mijë janë karta debiti, pjesa tjetër janë karta për tërheqje page. Ligji i miratuar ndër të tjera dekurajon përdorimin e parasë fizike dhe nxitjen e shërbimeve elektronike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat