Pas pensionistëve, shpërblim për fundvit edhe për shtresat në nevojë dhe 1 pagë plus për punonjësit e administratës

Shqipëria

Pas pensionistëve, shpërblim për fundvit edhe për shtresat në nevojë dhe 1 pagë plus për punonjësit e administratës

Më: 15 dhjetor 2023 Në ora: 10:32
Foto ilustrim

Pas pensionistëve, shpërblim për fundvit do të jepet edhe për shtresat në nevojë, ndërkohë që është vendosur që të jepet edhe 1 pagë plus edhe për administratën që punuan për integrimin. Kjo u bë e ditur dje nga ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ervin Mete, i cili deklaroi dje se “në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kemi miratuar Aktin Normativ për disa ndryshime të Buxhetit të vitit 2023, me synim kryesor plotësimin e paketës së solidaritetit, pas dy bonuseve të akorduara për pensionistët, plotësimin e kësaj pakete dhe për një sërë shtresash në nevojë”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, ministri Mete theksoi se paketa përfshin bonuse sociale në të njëjtën masë të shpërblimit që sapo iu akordua pensionistëve për shtresat në nevojë dhe 1100 punonjës të Administratës Shtetërore.

Sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave kemi miratuar aktin normative për disa ndryshime të buxhetit 2023, detyrim kryesor plotësimin e paketës së solidaritetit pas dy bonuseve për pensionistët. Plotësimin e kësaj pakete edhe për shtresat në nevojë. Përfshin bonuse sociale në të njëjtën masë që sapo iu akordua pensionistëve për 64 mijë përfitues të ndihmës ekonomike, 73 mijë përfitues të pagesave mbështetëse të aftësisë kufizuar, 36 familje me fëmijë me ndihmë ekonomike, 68 mijë invalidë të punës, 44 mijë përfitues të pensioneve familjare. Gjithashtu parashikohet edhe një shpërblim për 1100 punonjës të Administratës Shtetërore përfaqësues në takimet bilateral në kuadër të anëtarësimit në BE për shkak të rezultateve të lavdërueshme që kanë marrë edhe nga Komisioni Europian. Gjithashtu ka një mbështetje për çdo punonjës policie, për rreth 800 milion lekë. Për të gjitha bashkitë si një shtesë granti sipas një liste të caktuar në 2 miliardë Lekë. Gjithashtu ka rialokime edhe për projektet infrastrukturore duke i dhënë shtysë investimeve publike. Në total rialokimet janë rreth 20 miliardë Lekë dhe mbetet i pandryshuar niveli i planifikuar për të ardhurat si dhe projeksionet për borxhin publik”, deklaroi ai.

Detaje nga shifrat

Ndërkohë i pyetur se sa do të jetë konkretisht bonusi për shtresat në nevojë por edhe për punonjësit e administratës që janë marrë me integrimin, Mete tha se “shpërblimi apo bonusi është në të njëjtën masë që iu dha pensionistëve, ndërsa për disa kategori të posaçme të cilat kanë përfituar aktualisht, siç kanë qenë invalidët e punës apo përfitues të pensioneve familjare, praktikisht tani dyfishohet masa. Por, edhe brenda kategorive që mbështeten me këtë akt normativ, për kategori të posaçme siç janë p.sh., familjet me ndihmë ekonomike, por me fëmijë, edhe ata marrin dyfishin e masës, që do të thotë marrin 10 mijë lekë të reja.

Ndërkohë, për punonjësit e administratës të cilët kanë qenë të përfshirë në procesin e screening dhe takimet bilaterale, do të jetë një pagë shpërblim”.

“Si çdo fundviti, në varësi të ecurisë së investimeve apo projekteve, ne optimizojmë apo përpiqemi të optimizojmë shpenzimet dhe praktikisht rialokimet bëhen nga projekte të huaja apo të brendshëm që për shkak të ecurisë vlerësohet që është më efektive të riaolokohen në projekte me ecuri më pozitive”, shtoi ai. Po ashtu, ministri Mete theksoi se “ecuria e të ardhurave gjatë këtij viti ka qenë pozitive dhe ne në rishikimin e kaluar, në tetor, patëm një projeksion në rritje të të ardhurave dhe përgjithësisht drejt realizimit të atij projeksioni të të ardhurave duke synuar që, dhe besoj që kjo është e rëndësishme pavarësisht aktit normativ, që të mos ketë në tatime asnjë rimbursim TVSH-je të mbetur për vitin vjetër. Pra, të mos ketë asnjë, madje të përshpejtohen rimbursimet e TVSH-së, të realizohen të ardhurat dhe të mund edhe të rialokohen shpenzimet për t’u optimizuar”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat