Si nisi zjarri në qendrën tregtare të Lushnjës? Shefi i zjarrfikëses zbardh detaje tronditëse

Shqipëria

Si nisi zjarri në qendrën tregtare të Lushnjës? Shefi i zjarrfikëses zbardh detaje tronditëse

Më: 26 dhjetor 2023 Në ora: 11:12
Zjarri në Lushnjë

Shefi i repartit zjarrfikës në Lushnjë, Xhezmi Metushi ka dhënë detaje të reja në lidhje me zjarrin e madh që shkrumboi ambientet e qendrës tregtare ditën e djeshme.

Metushi deklaroi se brenda ambienteve të qendrës tregtare nuk ka asnjë vatër zjarri aktive, teksa sipas tij, flakët rrezikuan jetën e 10 banorëve të pallatit dhe qytetarëve në qendrën tregtare, por dhe të 5 zjarrfikësve. Ndër të tjera, ai tha se dyshohet që flakët të kenë nisur nga një dyqan këpucësh, pasi fillimisht janë parë në katin e katërt.

“Aty rrezikuan jetën 10 banorë, por i evakuuam në kohë. Nga punonjësit e mi rrezikuan 3 persona jetën, 1 nga zjarrfikësja e Divjakës dhe 1 nga Kavaja. Nuk ka dal ende ekspertiza mbi shkakun e zjarrit. Mendojmë se mund të ketë nisur në katin e katërt. Ka qenë këto ambientet e një dyqani këpucësh dhe disa dyqane të tjera, aty u pa. Nuk ka më  asnjë vatër zjarri, e jap me garanci. Ne kemi punuar gjithë natën dhe do të vijojmë të jemi këtu të monitorojmë situatën”, tha ai.

Zjarri u aktivizua rreth orës 14:40 të ditës së djeshme duke rrezikuar jetën e shumë njerëzve. Të frikësuar dhe të panikosur, dy fëmijë të vegjël u ngjitën në tarracën e pallatit, por fatmirësisht u shpëtuan nga forcat RENEA.

Sipas autoriteteve, 39 persona si dhe tre zjarrfikës u dërguan drejt spitalit të Lushnjës për ndihmë mjekësore. Paraprakisht dyshohet se shkak për rënien e zjarrit mund të jetë bërë mbinxehja e kondicionerëve por nuk përjashtohet as mundësia e një shkëndije elektrike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat