Dhuna në familje dhe narkotikët, shqetësime kryesore për policinë

Shqipëria

Dhuna në familje dhe narkotikët, shqetësime kryesore për policinë

Më: 4 janar 2024 Në ora: 18:17
Foto ilustrim

Dhuna në familje dhe kultivimi i narkotikëve mbeten shqetësime kryesore për shoqërinë dhe policinë shqiptare.

Afro një e treta e vrasjeve vitin e kaluar janë krime brenda familjes. Policia ka ndaluar qindra persona si për dhunën në familje, ashtu edhe për kultivim e trafikim të narkotikëve.

Policia e shtetit bëri sot të ditur se goditi 47 grupe kriminale të përfshira kryesisht në kultivim të lëndëve narkotike, prodhim, shitje dhe trafikim të tyre vitin e kaluar.

Ministri i Punëve të Brendshme, Taulant Balla, theksoi sot para mediave se vetëm në valën e njërit operacion në shkallë kombëtare u goditën 24 grupe kriminale dhe iu dorëzuan drejtësisë 530 autorë të dyshuar si prodhues, shpërndarës dhe trafikantë të lëndëve narkotike.

“Kemi patur një qasje të përditshme në luftën kundër kësaj dukurie, jo vetëm përsa u përket pastrimit të alpeve, maleve, kodrinave dhe zonave të tjera në gjithë territorin, por gjatë vitit 2023 u goditën 28 grupe kriminale në kultivimin e narkotikëve. Janë kryer 171 operacione policore”, tha ministri Balla.

Statistikat policore flasin për asgjësim të mbi 293 mijë bimëve narkotike, dhe 273 kultivues të tyre të vendosur nën akuzë.

Janë parandaluar 335 përpjekje për kultivim narkotikësh, si dhe u sekuestruan 4 tonë cannabis sativa, 62 kilogramë heroine, 23 kilogramë kokaunë dhe mijëra tableta lëndësh narkotike.

Dhuna në familje mbetet po ashtu një shqetësim kryesor për shoqërinë dhe policinë e shtetit. Një e treta e vrasjeve vitin e kaluar ndodhën brenda familjes kundër grave dhe vajzave. Ministri Balla tha se kjo është një situatë e papranueshme dhe bashkë me policinë duhet të ndërgjegjësohet shoqëria për të frenuar këtë dukuri të përkeqësuar.

“Një e treta e krimeve të rënda me vrasje janë krime brenda familjes. I kam kërkuar dhe vazhdoj të kërkoj çdo ditë drejtuesve të policisë në nivel vendor, një dorë të hekurt kundër dhunës më bazë gjinore dhe mbrojtje e mbështetje për gjitha viktimat e dhunës”, tha ministri Balla.

Policia regjistroi vitin që shkoi, afro 4 mijë e 700 raste të dhunës në familje me 2 mijë e 30 autorë, si dhe plotësoi 2 mijë e 730 kërkesë padi për urdhëra mbrojtje për viktimat e dhunës. Afro 800 prej autorëve u ndaluan, ndërsa 1 mijë e dyqind u proceduan në gjendje të lirë.

Shoqëria civile është e shqetësuar për dhunën në familje, teksa pothuajse çdo muaj vritet një grua nga bashkëjetuesi apo bashkëshorti dhe mijëra të tjera dhunohen për shumë vite.

Kjo dukuri me përmasa ende të panjohura për shkak të frikës dhe stigmës ka nisur të denoncohet më me guxim nga gratë dhe vajzat, ndërsa shifrat e raportimeve për dhunë në familje janë përherë në rritje./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat