Mazhoranca do kontrollojë punën e SPAK? Tabaku i përgjigjet Spiropalit dhe i kujton fjalimin e Ramës në Kongres

Shqipëria

Mazhoranca do kontrollojë punën e SPAK? Tabaku i përgjigjet Spiropalit dhe i kujton fjalimin e Ramës në Kongres

Më: 20 janar 2024 Në ora: 14:49
Elisa Spiropali dhe Jorida Tabaku

Deputetja e Partisë Demokratike i është përgjigjur ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali në lidhje me një plan të qeverisë, që sipas opozitës do të kontrollohet puna e drejtësisë.

Tabaku me anë të një postimi në rrjetet sociale thotë se ndoqi këshillën e ministres për t’iu rikthyer fjalës së kryeministrit në Kongresin e PS.

Por ndryshe nga sa pretendon Spiropali, Tabaku thotë se në fjalimin e Ramës në Kongres është zbuluar synimi i tij, për të kontrolluar drejtësinë.

Nën këshillën e koleges fjalëshumë iu riktheva fjalës së KM në kongres dhe zbulova synimin e tij. Të shmangim Republikën e gjyqtarëve dhe prokurorëve që na rrezikon unitetin e Partisë rreth korrupsionit për të ndërtuar Republikën Popullore Socialiste”, shkruan Tabaku.

Ndërkohë më herët deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku tha me ane te nje postimi ne Facebook se “frika ndaj SPAK po e shtyn PS të kontrollojë drejtësinë”.

Çfare deklaroi Spiropali

“Një tym ka nisur nga poshtë ballkonit të rrugicës mbrapa Piramidës dhe është përhapur nëpër mexhelis me mllefin e zellshëm kundër Edi Ramës dhe PS, për t’u hedhur shqiptarëve në sy hirin e një plani djallëzor “të socialistëve të alarmuar kundër Spakut”!

Kjo është nga ato të pavërtetat që janë aq qesharake sa nuk ia vlen t’i konsiderosh. Por, vlen sot për t’i këshilluar të gjithë të interesuarve t’i kthehen fjalës së kryeministrit në Kongresin e 8 dhjetorit. Aty do t’i gjejnë edhe nga nisen planet që po bëjnë socialistët, për të cilat drejtuesit politikë, kabineti qeveritar dhe drejtuesit e komisioneve të Kuvendit, u mblodhën dy ditë në Lezhë.

Tre janë drejtimet e punës dhe planeve tona “djallëzore” për sa më lart:

1) Garantimi i pakthyeshmërisë së progresit të bërë deri këtu;

2) Modernizimi i çdo gjymtyre e organi të shtetit;

3) Rritja e kapitalit njerëzor të administratës publike.

Thënë sa më lart, Reforma në Drejtësi është flamuri i të gjitha reformave tona, i cili jo nuk preket, po vetëm do të lartësohet me mbështetjen tonë të palëkundur dhe në bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë strategjikë. Ndërsa Spaku sot është një ndër arsyet e krenarisë sonë për atë flamur, i cili nuk do të ishte ngritur kurrë në këtë vend, pa Edi Ramën dhe Partinë Socialiste.

Partia Socialiste nuk është as në ballkon, as në ranishte, po në krye të një lufte që vazhdon, për drejtësinë deri në fund, për Shqipërinë 2030.

Të tjerat janë tym nga ballkoni mbi rrugicë, thashetheme nga ranishtja në gji të Lalzit dhe jerm nga ëndërrzgjëndra e Lulit”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat