Shofer i drejtuesve të komunizmit/ Zoi Doga: Kam ruajtur sekretet. Isha gojëkyçur, më kërkonin të gjithë në punë

Shqipëria

Shofer i drejtuesve të komunizmit/ Zoi Doga: Kam ruajtur sekretet. Isha gojëkyçur, më kërkonin të gjithë në punë

Më: 20 janar 2024 Në ora: 23:33
Zoi Doga

Mes zhurmës së rrugëve dhe rrotave të makinës për më shumë se 50 vjet, Zoi Doga është një personazh që ka shumë për të treguar mbi zanatin e tij.

Njohës deri në detaje i automjeteve që drejtonte por edhe ruajtës i sekreteve që pa dashje i dëgjonte gjatë udhëtimeve me personalitete të kohës.

Mes drejtuesve për të cilët punoi, 70 vjeçari, ruan respekt dhe mirënjohje për drejtorin e Parkut të Mallrave në Fier si person me integritet të lartë profesional dhe human.

Megjithatë kur vinte puna për të mbajtur ane ai zgjidhte kolegët, dhe i mbronte ata herë duke i rënë borisë kur kthehej në park me drejtorin, e herë të tjera duke telefonuar dispecerin për të njoftuar kontrollet e befasishme të inspektorëve.

Diskrecioni dhe serioziteti në punë bënë që Zoi Doga të kërkohej nga të gjithë drejtuesit e asaj kohe si shofer personal. Por jo të gjithë drejtuesit e dikurshëm respektonin vartësit e tyre. Në të tilla raste, Zoi vendoste dinjitetin e tij pa pyetur për pasojat.

I brumosur me disiplinën që vetë sistemi impononte në çdo profesion, Zoi Doga sheh me çudi dhe keqardhje aftësimin e drejtuesve të mjeteve në ditët e sotme. Sipas tij, dy janë armiqtë kryesore të shoferëve dhe udhëtarëve, shpejtësia dhe alkooli.

Puna e një shoferi në sistemin monopartiak të para viteve 90’ konsiderohej e privilegjuar dhe përzgjedhja bëhej bazuar në kritere të forta profesionale dhe integriteti personal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat