​Kushtetuesja shtyn seancën për marrëveshjen e migrantëve Shqipëri-Itali

Shqipëria

​Kushtetuesja shtyn seancën për marrëveshjen e migrantëve Shqipëri-Itali

Më: 24 janar 2024 Në ora: 16:52
Foto ilustrim

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të shtyjë seancën e dhënies së vendimit për marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për ngritjen e kampeve të emigrantëve.

Kushtetuesja njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohet më datë 29 janar në orën 10:00. Shkak është bërë kërkesa opozitës që në seancë të paraqiten prova shtesë.

Pavarësisht se kjo marrëveshje ka kaluar në Këshillin e Ministrave, ka ngelur pezull në procesin e ratifikimit të saj në Parlament.

Shkak për këtë është bërë një kërkesë e dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga 30 deputetë të opozitës, të cilët kanë kërkuar pezullimin përfundimtar të saj.

“Sot në datën 24.01.2024, Gjykata Kushtetuese zhvilloi seancën plenare të radhës për shqyrtimin e kërkesës së paraqitur nga 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Deklarimi i papajtueshëm me Kushtetutën të Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit” dhe ndalimi i ratifikimit të tij nga Kuvendi. Pezullimi i procedurave për ratifikimin e Protokollit ndërmjet Qeverisë italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit”.

Gjatë shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese konstatoi se në datën 23.01.2024, ora 15:55, kërkuesi ka paraqitur parashtrime shtesë me shkrim, në përmbajtje të të cilave kërkohej edhe marrje e disa provave. Parashtrimet shtese iu komunikuan për dijeni subjekteve të interesuara në datën 24.01.2024, ora 9:30.

Në këto rrethana, Gjykata bazuar në nenet 43 pika 1 shkronja “ë” dhe 44/a të ligjit organik të saj, që parashikon të drejtën e palëve të kundërshtojnë kërkesat, përfundimet dhe shpjegimet e palëve të tjera, vendosi të shtyjë seancën gjyqësore të radhës në datën 29.01.2024, ora 10.00”, thuhet në njoftim. /

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat