“Bordi drejtues arrogant, rriti tarifat pa na pyetur”/ Shkarkohet presidentja e Urdhrit të Psikologut, Valbona Treska

Shqipëria

“Bordi drejtues arrogant, rriti tarifat pa na pyetur”/ Shkarkohet presidentja e Urdhrit të Psikologut, Valbona Treska

Më: 27 janar 2024 Në ora: 12:59
Valbona Treska

Asambleja e Jashtëzakonshme e Urdhrit të Psikologut të Shqipërisë kërkuar nga 1/3 e të gjithë anëtarëve të Asamblesë, u zhvillua këtë të shtunë në kryeqytet.

Rreth 550 psikologë e thirrën këtë proces të parë dhe të paprecedentë, për shkak të shkeljeve sipas tyre, indiferencës dhe arrogancës nga ana e organeve drejtuese, në të gjithë këto vite ekzistence të Urdhrit. Ata kundërshtojnë rritjen e tarifave dhe kuotizacioneve, pa u konsultuar më parë me Asamblenë dhe në mungesë të theksuar transparence.

Pjesëmarrësit, pasi paraqitën propozime për ndryshime në Statutin e Psikologut, vendosën unanimisht shkarkimin e presidentes aktuale të Urdhrit të Psikologut, zonjës Valbona Treska. Treska u zgjodh si presidente e parë e Urdhrit të Psikologut në 2017 nga Asambleja Themeluese. Ajo u rizgjodh në 2021 për një mandat tjetër 4-vjeçar.

Rreth një javë më parë një peticion i firmosur nga 216 psikologë në të gjithë vendin iu drejtua qeverisë kundër Presidentes së Urdhrit të Psikologut, me argumentin se institucioni po kryen trajnime dhe akreditime që nuk janë miratuar nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror. Sipas një prej firmëtarëve, Altin Nikës, trajnimet e kryera gjatë vitit të kaluar që kanë shkuar deri në 1500 euro, rezultojnë të pavlefshme ligjërisht.

Presidentja e Urdhrit të Psikologut Valbona Treska u kundërpërgjigj duke thënë: “Qëndrimi i zotit Nika është mashtrim, tjetërsim i vullnetit dhe besimit të psikologëve. Kërkesa e ardhur sot nga një grup psikologësh ka në thelb uljen e tarifave. Nesër do të ketë një kallëzim në prokurori, lidhur me këtë deklaratë të pavërtetë dhe mënyrën e mbledhjes së firmave të këtij grupi psikologësh”.

Psikologët kërkojnë shfuqizimin e vendimit për rritjen e tarifave të vendosura nga vetë “Urdhri i Psikologut”. E pyetur sot se cili është qëndrimi i zonjës Treska për vendimin e shkarkimit të saj, presidentja e Urdhrit u përgjigj se do të mbajë një qëndrim zyrtar ditën e hënë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat