FMN jep zgjidhje për skemën e pensioneve: Përfitimet të jenë në lartësinë e kontributeve, mos rrisni detyrimet

Shqipëria

FMN jep zgjidhje për skemën e pensioneve: Përfitimet të jenë në lartësinë e kontributeve, mos rrisni detyrimet

Më: 1 shkurt 2024 Në ora: 08:12
Foto ilustrim

Pavarësisht reformës së ndërmarrë në vitin 2015 në skemën e sigurimeve shoqërore, e cila fokusohej në rritjen e moshës së daljes në pension, skema vijon të trashëgojë problematika, siç është deficiti buxhetor për shkak të numrit të ulët të kontributeve dhe shpenzimeve të larta. Sipas një analize të bërë së fundmi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, shkalla e mbulimit në skemën e pensioneve për popullsinë në moshë pune mbetet e ulët në Shqipëri, veçanërisht për të vetëpunësuarit. Sipas FMN, aktualisht nga popullsia që konsiderohet në moshë pune 15-64 vjeç, vetëm rreth 38 për qind kontribuojnë në skemën e pensioneve. Referuar analizës së bërë, FMN parashikon që pensionet do të jenë në vështirësi edhe në vitet e ardhshme dhe për këtë arsye duhet ndërmarrë një reformë e re duke pranuar tendencat e fundit. 

“Zhvillimet e ardhshme të deficitit të pensioneve janë të pasigurta. Shpenzimet e pensioneve dhe të ardhurat përbënin përkatësisht 6.1 për qind dhe 5 për qind të PBB-së në vitin 2022, me një deficit prej rreth 1 për qind të PBB-së. Baza e të ardhurave është dobësuar nga informaliteti, papunësia dhe pasiviteti. Ana e shpenzimeve ka të ngjarë të zhvendoset drejt më shumë përfitimeve jo kontributive me gjeneratat aktuale të moshës së punës që mbushin moshën daljen në pension”, thekson FMN. Për këtë arsye Fondi Monetar Ndërkombëtar sugjeron politikat që duhet të ndjekë qeveria për përmirësimin e skemës. 

“Prioritet është adresimi i mbulimit të dobët të popullsisë në moshë pune. Opsione që mund të merret në konsideratë janë ruajtja e stimujve për të rriturit në moshë pune që të respektojnë kontributet. Kjo nënkupton ruajtjen e normës së kontributit në një nivel të arsyeshëm dhe ndoshta kryerjen e studimeve për të kuptuar nëse shkurtimi i kohës së derdhjes së kontributeve do të ndikojë në rritjen e numrit të kontribuuesve”, nënvizon FMN.

Po ashtu një politikë tjetër që sugjerohet është  “dhënia e sigurisë tek qytetarët që niveli i pensioneve të ardhshme të jetë i harmonizuar mirë me kontributet e kaluara, gjë që do të shmangte pengesat për të marrë pjesë në skemë.  Planet vullnetare të pensioneve private, ndoshta me regjistrimin automatik, janë provuar të jenë një kanal i mirë në disa vende për të nxitur pjesëmarrjen e qytetarëve dhe për të rritur përfshirjen financiare. Megjithatë, duhet të trajtohen  me kujdes përjashtimet përkatëse tatimore, pasi ato gjithashtu kufizojnë të ardhurat dhe kanë impakt të rëndësishëm në pjesëmarrje”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat