Pas tensioneve në Kuvend dhe përplasjes me gardën, lajmërohet Berisha

Shqipëria

Pas tensioneve në Kuvend dhe përplasjes me gardën, lajmërohet Berisha

Më: 5 shkurt 2024 Në ora: 17:01 Përditësuar në ora: 19:14 më 05.02.2024
Sali Berisha

Berisha paralajmëron protestën e radhës: Me 20 shkurt, Shqipëria në Tiranë në ditën anti-tirani

Nga ballkoni i banesës ku ndodhet në ‘arrest shtëpie’, Sali Berisha ka paralajmëruar protestën e ardhshme të opozitës.

Në fjalën e mbajtur përballë mbështetësve, Berisha ka deklaruar se më 20 shkurt shqiptarët do të vijnë në Tiranë në ditën anti-tirani, në ditën anti-Edvin.

Mes entuziazmit të qytetarëve, Berisha u shpreh se, ‘e nisëm këtu me dhjetëra vetë, tani jemi qindra e mijëra! Luani u zgjua, mjerë hienat’.

“Miqtë e mi kjo është betejë e triumfit, betejë e triumfit të luftëtarëve të lirisë, betejë e atyre që e duan Shqipërinë në Europë, betejë e triumfit të ëndrrave të të rinjve shqiptarë.

Të dashur miq, ka vetëm një rrugë drejt fitores, betejë pa kthim, mosbindje civile.

Me 20 shkurt, Shqipëria në Tiranë në ditën anti-tirani, në ditën anti-Edvin, në ditën kundër krimit, kundër dhunimit të votës, për dinjitetin e Shqipërisë, për dinjitetin e shqiptarëve.

20 shkurti është dita e triumfit tonë, është dita e dridhjes në themele të pushtetit të krimit, të pushtetit të drogës, të monizmit të Edi Ramës.

Demokrate e demokratë, simbolet e krimit, simbolet e monizmit, simbolet e poshtërimit të shqiptarëve janë parlamentit Rama-Linda, kryeministria e Edvin Kristaq Xhelatit, SKAP-i i Altin Dumanit, Surreli i Edvin Kristaq Xhelatit.

Nuk ka forcë në botë që do mbrojë këto simbole të krimit, të poshtërimit të shqiptarëve para jush, njerëzve idealistë, njerëzve atdhetarë, njerëzve demokratë.

Para luanit të zgjuar të shqiptarëve, ndaj dhe beteja e luanit do të jetë shembja e këtyre ngrehinave të krimit”- tha Berisha.

Opozita “në luftë” me Gardën jashtë dhe brenda Parlamentit, çfarë ndodhi në 14 minutat e seancës në Kuvend

Më shumë se 20 minuta iu deshën deputetëve të papërjashtuar të opozitës që të bindnin komandantët e Gardës në Kuvend të hapnin derën e godinës për t’u futur në seancë plenare.

Deputetët e Rithemelimit dhe mbështetësit e kreut të grupit Gazment Bardhi kërkuan të futen në seancë, pavarësisht se 19 prej tyre ishin të përjashtuar në seancën e sotme.

Në pamundësi për të kontrolluar se cilët ishin të përjashtuar e cilët jo, efektivët e Gardës i bllokuan të gjithë deputetët e opozitës duke mos i lejuar të futen në Kuvend.

Ndërkoh që pak metra më tutje kishte nisur protesta e paralajmëruar e opozitës, deputetët që nuk kishin masë disiplinore arritën të futen në sallë, duke shkuar menjëherë drejt tryezës ku qëndrojnë kryeministri Rama dhe ministrat.

Efektivët e Gardës bënë sërish një gardh përpara ministrave duke penguar Gazment Bardhin, Flamur Nokën dhe Asllan Dogjanin që ti afroheshin kryeministrit.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla e nisi seancën pak minuta përpara se të futeshin brenda deputetët e opozitës, duke i dhënë mundësi Petro Koçit dhe Etjen Xhafajt të mbanin fjalimet e tyre, pas disa seancash kur nuk kishte asnjë fjalim në Kuvend.

Me futjen e deputetëve të opozitës në sallë, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla priti deri në përfundim të fjalës së deputetit Xhafaj për të njoftuar përfundimin e seancës duke akuzuar opozitën se nuk po mendon për hallet e qytetarëve.

“Deputetët që nuk ishin të përjashtuar nuk u ndaluan të futen në seancë”, paralajmërimi i Çuçit: Do vazhdojmë të përjashtojmë këdo që prish rendin

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi ka paralajmëruar se maxhoranca do të vazhdojë me kërkesa përjashtimi për deputetët e opozitës që nuk lejojnë zhvillimin e seancës plenare dhe komisioneve.

Në një deklaratë për mediat pas kaosit të shkaktuar në Kuvend, Çuçi tha se në asnjë moment nuk do të pengohen deputetët e pa pa përjashtuar të futen në Kuvend, por jo si në rastin e seancës së sotme që u bën palë me deputetët e përjashtuar.

“Ky teatër duhet të marrë fund. Sot pamë një shfaqje tjetër të shëmtuar. Askush nuk i ka ndaluar dhe nuk i ndalon deputetët e pa përjashtuar të hynë në sallë, por ajo që bën sot ata, ishte shfaqja më e shëmtuar që bënë. Qëkur kanë filluar me histori, e kam pasur të qartë se nuk na ndal asgjë se jemi të mandatuar nga shqiptarët. Nëse ata nuk e kanë marrë këtë mesazh, nuk e di c bëjnë akoma. Ne do vazhdojmë kërkesat tona për të përjashtuar këdo që prish seancat plenare dhe komisionet. Askush nga deputet e pa përjashtuar nuk do të ndalohet”-tha Çuçi.

Bardhi pas kaosit në Kuvend: I bashkohemi protestës, deputetët e opozitës duhet të shqyhen që të futen në Parlament

Deputeti demokrat Gazment Bardhi ka deklaruar se grupimi i tij do t’i bashkohet protestës së thirrur nga Rithemelimi.

Sipas Bardhit, bllokimi i Kuvendit nga Garda për deputetët e opozitës ishte me urdhër të Edi Ramës.

“Deputetët e opozitës u penguan të futeshin në sallë. Garda e Republikës me urdhër personal të Edi Ramës, tentoi të lërë jashtë deputetët e opozitës. Vetëm në vendi me regjim autoritar, ndodh që deputetët nuk lejohet të ushtrojnë mandatit. Edi Rama ka vënë përballë krimin e organizuar. Deputetët duhet të shqyhen që të kenë mundësi të futen në sallë, është e paimagjinueshme. Asgjë nuk e ndal opozitës nga aksioni përballë regjimit të Edi Ramës”-tha Bardhi.

Pas përplasjes në Kuvend, deputetët e PD dhe PS largohen të qetë nga seanca plenare

Vetëm pak minuta ka zgjatur seanca plenare e kësaj të hëne në Kuvendin e Shqipërisë. Me disa deputetë të opozitës të Foltores të pranishëm në sallë, sërish u krijuan tensione.

Pas kthimit nga Amerika, Gazment Bardhi i është bashkuar Flamur Nokës në aksionin opozitar të Foltores, duke u përplasur me gardistët në Kuvend.

Teksa deputeti socialist, Etjen Xhafaj po mbante fjalën e tij, Bardhi u përpoq që ta ndalonte duke shkuar te foltorja.

Menjëherë gardistët reaguan duke krijuar një kordon dhe Bardhi u përplas me disa prej tyre. Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla njoftoi për mbylljen e seancës.

Ndërkaq, tensione pati edhe jashtë ambienteve të Kuvendit, ku Foltorja kishte thirrur një protestë. Megjithëse protestuesit ishin të paktë të numër, ata tentuan të çajnë kordonin e policisë dhe hodhen shashka e tymuese.

“Hapni rrugën se nuk është kazermë”, Garda nuk lejon deputetët e përjashtuar të opozitës të futen në Kuvend

Garda nuk lejon deputetët e përjashtuar të opozitës të futen në Kuvend.

“Zoti drejtues i Gardës mos lejoni ata të hyjnë në Kuvend”- tha një nga deputetët e PD-së.

“Hapni rrugën se nuk është kazermë. Ore kazermë është kjo apo diçka tjetër. Hapeni rrugën se është parlament. E ka kthyer Rama parlamentin në kazermë”- është shprehur Salianji.

I përballur me insistimin e drejtuesit të gardës së Republikës për të mos u lejuar të kalojnë, Salianji iu është kthyer duke thirrur: “Lëri deputetët të futen në Parlament”.

Kuvendi i Shqipërisë merr masa, qindra zyrtarë policorë angazhohen për protestën e opozitës

Teksa pasditja pritet të jetë e  trazuar në Kuvendin e Shqipërisë nga protesta që ka paralajmëruar një pjesë e opozitës, në oborrin e parlamentit janë marrë masa.

Qindra efektivë të policisë dhe FNSH-së janë angazhuar për mbarëvajtjen e protestës para parlamentit.

Po ashtu janë marrë masat edhe me autobot me ujë, në rast se do të jetë e nevojshme për të ndërhyrë./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat