Noka: Do bëjmë gjithçka që Shqipëria të shkojë në zgjedhje me një qeveri teknike

Shqipëria

Noka: Do bëjmë gjithçka që Shqipëria të shkojë në zgjedhje me një qeveri teknike

Më: 24 shkurt 2024 Në ora: 15:21
Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka në një deklaratë të dhënë për mediat, u shpreh se grupi i opozitës së bashkuar po punon cdo ditë ne terren me qytetarët, për të drejtuar këtë energji, që Shqipëria të shkojë në zgjedhje me një qeveri teknike dhe jo armike të votës.

Ai shtoi se gjëja e parë që duhet të ndodhë në vend është McGonigali shqiptar (Edi Rama), të largohet dhe t’i hapë rrugën një qeverie  të qytetarëve dhe më pas t’i hapet rruga integrimit të Shqipërisë në BE.

DEKLARATA E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PD, FLAMUR NOKA:

Bashkimi i PD-së, krijimi i opozitës së bashkuar dhe protesta e datës 20 shkurt si kulmimi i zhvillimeve brenda opozitës, ishin kryefjala dhe treguan që PD-ja, opozita, por edhe vendi ka hyrë në një etapë të re zhvillimesh politike.

Protesta e qytetarëve, ai lum njerëzish që vërshoi në Tiranë, ajo energji njerëzore që u derdh në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, tregoi se Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të madh.

Ai lum njerëzish, ai uragan popullor i dha një mesazh edhe PD-së, dhe kryesia jonë sot vendosi që ta lexojë dhe deshifrojë mirë dhe qartë, atë mesazh të njerëzve të lirë, demokratëve, opozitarëve që morën pjesë, edhe të paangazhuarve që morën pjesë, edhe të socialistëve të zhgënjyer dhe të shkelur me këmbë nga sekti i rilindjes, që morën pjesë.

Përkthimi i atij mesazhi është që ne do të zbresim në bazë, të gjithë do të zbresim të takojmë të gjithë qytetarët, pensionistët, fermerët, arsimtarët, mjekët, nënpunësit, të papunët, rininë.

Do të jemi çdo ditë në kontakt me ta, për të drejtuar gjithë këtë energji njerëzore dhe për ti dhënë një mundësi çlirimi gjithë kësaj energjie, që Shqipëria më në fund të shkojë në zgjedhje të lira dhe demokratike, me një qeveri teknike dhe jo më, me një qeveri që është armike e votës së lirë.

U analizua edhe një pikë tjetër.

Pas datës 16 shkurt dhe sidomos pas datës 20 shkurt, shqiptarët nuk mund të pranojnë më kryeministër McGonigalin.

McGonigali në SHBA u dënua për çështjen shqiptare.

Në Shqipëri hapi i parë që duhet të ndodhë, është që McGonigali shqiptar të largohet nga karrigia e pushtetit dhe ti hapë rrugë qeverisë teknike, që Shqipëria të ketë përfundimisht një qeveri përfaqësuese të shqiptarëve e jo të patronazhistëve dhe të krimit.

Një qeveri e cila të ketë vetëm një synim, të ju mundësojë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme, zgjedhje të cilat i kanë munguar prej më se 10 vitesh këtij vendi, dhe pastaj për ti hapur rrugë edhe Shqipërisë të ecë drejt integrimit Europian, i penguar dhe i bllokuar nga krimi dhe korrupsioni i rilindjes.

Pyetje: Në mbledhje a kishte diskutime përsa i përket riorganizimit të strukturave të PD-së, ku të përshihen edhe depuetët e grupimit Bardhi, qoftë në kryesi, por edhe në strukturat e partisë.

Flamur Noka: Sigurisht që pika e tretë e rendit të ditës së kësaj kryesie, ishte hapja e procesit për riorganizim dhe për zgjedhje në 20 degë, kryetarët kishin dhënë dorëheqjen pasi kishin kandiduar në zgjedhjet lokale.

Për përfshirjen e deputetëve të tjerë, pa asnjë më të voglin diskutim ne kemi marrë një vendim që para datës 20 shkurt, para protestës që të gjithë deputetët pa asnjë përjashtim janë në grupet e punës së PD-së në të gjithë qarqet. Ky është një proces i ezauruar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat